Vëllezërit Jon dhe Rroj Shuajibi nga KF Shkëndija, Bunej Ebibi i Besës së Dobërdollit dhe Valmir Aziri nga Saraji i Shkupit jetojnë ëndrrën “blaugrana” në Barcelonë. Ata janë përzgjedhur nga kampet zyrtare të FC Barcelona-s në Kosovë dhe Maqedoni të Veriut për t’u stërvitur në ambientet e klubit katalunas.

Femijë të rinj nga vendi ynë këto ditë po jetojnë një përvojë të veçantë në Barcelonë, ku do të stërviten në ambientet e shkollës së FC Barcelona-s nën drejtimin e trajnerëve të Akademisë së njohur të klubit katalanas.




Kjo mundësi e rrallë erdhi pas kampeve të organizuara këtë vit në Kosovë dhe Maqedoninë e Veriut, ku shumë të rinj patën rastin të tregojnë talentin dhe pasionin e tyre për futbollin.
Nga këto kampe, u përzgjodhën disa nga talentet më premtuese të rajonit për të marrë pjesë në sesione trajnimi në Spanjë, përfshirë edhe tre të rinj që po përfaqësojnë denjësisht vendin tonë në Barcelonë: Jon dhe Rroj Shuajibi, si dhe Bunej Ebibi. Në mesin e pjesëmarrësve është edhe Valmir Aziri nga Shkupi, i cili u dallua në kampin e mbajtur në kryeqytetin e vendit tonë.
Dy vëllezërit Jon (2014) dhe Rroj Shuajibi (2016) janë pjesë e shkollës së futbollit të KF Shkëndija, duke luajtur përkatësisht si sulmues i majtë dhe mesfushor. Ndërsa Bunej Ebibi, anësor i majtë i KF Besa e Dobërdollit, u dallua për teknikën dhe disiplinën e tij.
Për disa ditë, këta të rinj po përjetojnë nga afër atmosferën, metodologjinë dhe filozofinë e punës së një prej shkollave më të njohura të futbollit në botë, një përvojë që padyshim do t’i frymëzojë në rrugëtimin e tyre të ardhshëm sportiv.

