Sot, në ditën kur shënohet 4 vjetori i pranimit të Kosovës në UEFA, nuk mund të mungonte ‘përshëndetja’ për njeriun që dha kontributin më të madh për këtë pranim – Fadil Vokrrin.

Kështu, krerë të FFK-së kanë vizituar varrin e legjendës së futbollit kosovar, duke bërë homazhe në 4 vjetorin e pranimit në UEFA.
Bashkë me krerët e FFK-së ishin edhe anëtarë të tifo-grupit ‘Dardanët’, që gjithashtu shprehen mirënjohjen e tyre.

Më poshtë lajmi.net ua përcjell njoftimin e plotë të FFK-së, lidhur me këtë ngjarje.
Në ditën e shënimit të 4-vjetorit të anëtarësimit në UEFA, presidenti Agim Ademi në shoqëri të anëtarëve të KE të FFK-së, sekretarit të përgjithshëm, Eroll Salihu, anëtarëve të administratës dhe drejtuesve të grupit të tifozëve “Dardanët”, kanë bërë homazhe te varri i ish-presidentit Fadil Vokrri. Me këtë rast u vendosën kurora lulesh dhe u bënë nderime për veprën dhe karrierën e legjendës, teksa presidenti Ademi e vlerësoi edhe një herë punën e ish-presidentit dhe të gjithë protagonistëve tjerë që nga mëvetësimi drejt finalizimit të ëndrrës dhe sakrificës së shumë gjeneratave për të qenë pjesë e familjes evropiane të futbollit, duke u zotuar se edhe në vitet e ardhshme drejtuesit e FFK-së do ta vazhdojnë me përgjegjësi rrugën e sukseseve.
Ndërkohë, presidenti Ademi gjatë ditës së sotme ka marrë urime të shumta për 4-vjetorin e anëtarësimit në UEFA nga homologë të federatave tjera, drejtues të institucioneve vendore, nga drejtues të klubeve, si dhe nga futbollistë e ish-futbollistë, trajnerë, bashkëpunëtorë e dashamirë të shumtë të FFK-së. /Lajmi.net/

