Abdullah Aslani, 19-vjeçari nga Dobroshti i Tetovës, i lindur Kopenhagë, ka firmosur kontratë me klubin holandez FC Utrecht, ku fillimisht do të jetë pjesë e ekipit të dytë, Jong FC Utrecht.

Një tjetër talent shqiptar me prejardhje nga Tetova po hedh një hap të rëndësishëm në karrierën e tij futbollistike. Abdullah Aslani, 19-vjeçari me prindër nga Dobroshti i Tetovës, i lindur dhe i rritur në Kopenhagë të Danimarkës, ka firmosur kontratë me klubin holandez FC Utrecht, ku fillimisht do të jetë pjesë e ekipit të dytë, Jong FC Utrecht.
Mesfushori, i cili vjen nga skuadra daneze Lyngby BK, ka qenë kapiten i ekipit U19 të klubit dhe njëkohësisht është pjesë e përfaqësueseve të moshave të Maqedonisë së Veriut, duke përfaqësuar kategoritë U16, U17, U18 dhe U19.
“Jam jashtëzakonisht i lumtur për këtë mundësi. Zgjodha FC Utrecht sepse besoj se këtu mund të zhvillohem maksimalisht. Është një klub i madh dhe synimi im është të nis te Jong FC Utrecht dhe më pas të depërtoj në ekipin e parë”, ka deklaruar Aslani pas firmosjes së kontratës, e cila do ta mbajë në Holandë deri në verën e vitit 2028.
Transferimi i Abdullah Aslanit konsiderohet një hap i rëndësishëm në karrierën e talentit me prejardhje shqiptare, i cili synon të afirmohet në futbollin europian.

