Shkupi dhe Dinamo Zagrebi nesër në kryeqytet do të përballen ndërmjet veti në ndeshjen e vlefshme për xhiron e dytë të eliminatoreve për Ligën e Kampionëve. Para kësaj sfide shumë të rëndësishme, ka folur edhe Blerton Sheji nga tabori i bardhebluve. Mbrojtësi strugan ka thënë se Dinamo është favorit, por Shkupi me ndihmën e tifozëve të saj “Shvercerat” mund të përballën me çdo kundërshtarë.

“Sa i përket ndeshjes së nesërme sigurisht që Dinamo ngelet favorit, por me mbështetjen e Shvercerave ne mund të përballemi me çdo kundërshtarë. Jemi përgatitur maksimalisht, nuk do të lejojmë të ndodhë ndonjë lëshim sepse në ndeshje të tilla çdo lëshim kushton shumë shtrenjtë”, deklaroi mbrojtësi Blerton Sheji.

