Ali Aliu, shpresa në ardhje te KF Renova

Elita e futbollit vendor viteve të fundit sjell garë interesante, pasi përjashtuar ekipet që luftonin për titull fillimisht Shkëndija e Vardari dhe më pas Shkëndija e Shkupi, skuadrat tjera sillnin paqartësi të mëdha pasi shpesh kemi qenë dëshmitarë që luftën për mbijetesë ekipet ta kthenin në dalje në Europë ose e kundërta, duke luajtur për Kupat Europiani shihje veten në balotazh. Në këtë listë hyn KF Renova që dy vite më parë kapi Europën në moment të fundit, që sezonin e shkuar të gjente veten në balotazh për mbijetesë. Ekzistenca e siguruar në moment të fundit paralajmëroi mirë drejtuesi që në sezonin pasardhës bënë lëvizje të konsiderueshme në merkato, duke ndërtuar ekip stabil që po ec mirë në këtë kampanjë. Dhe e bukura qëndron në faktin se krahas rezultateve të mira dhe lojës së bukur, trajneri Qatip Osmani gjen hapsira edhe për lojtarë të rinjë të rritur në shkollën e futbollit Renova. Ali Aliu është një prej shpresave të Renovës, sulmues 18-të vjeçar që premton shumë, ndërsa tashmë ka provuar edhe minuta me ekipin e parë në elitën e futbollit vendor ku në 3 paraqitje ka realizuar edhe 1 gol, ndërsa ka paraqitje edhe në Kupë ku realizoi dy gola që në debutim. 

Faza përgatitore dhe ndeshjet kontrolluese e gjejnë të riun gjithnjë e më shumë hapsira në formacion dhe duket se familja Aliu është gati për të ritur një sulmues të ri që do ndjekë e mbase edhe të kalojë karrierën e xhaxhit të tij Ylber Aliut, ish-futbollist i Renovës, Shkëndijës, Bashkimit e Milanos së Kumanovës e disa ekipeve në Kosovë. 

Por t’i kthehemi Aliut të ri, fillimet në futboll dhe arsyen pse do të vendoste të merrej me këtë sport.

Kam filluar të stërvitem futboll në moshën 6 vjeçare dhe trajner të parë kam pasur Muzafer Livorekën. Ishte e thjesht të përcaktohem në futboll, sepse ishte e vetmja gjë që bëja gjithë kohën dhe çdo ditë.”

Duke ditur të kaluarën e Ylber Aliut, xhaxhait të Aliut të ri, futbolli është pjesë e rëndësishme e kësaj familje.

Realisht më pëlqejnë të gjitha sportet dhe i dua për t’i ndjekur. Por për tu marrë direkt me futbollin nuk krahasohet asnjë. Nuk ka sport tjetër që më jep ndjesinë që gjej te futbolli, thjesht është diçka ndryshe nga sportet tjera”.

Për një djalosh që inspirimin do gjente nga xhaxhi ish-futbollist, Aliu i ri gjen një mbështetje të madhe nga familja. 

Xhaxhi Ylber më qëndron afër gjithmonë me këshilla dhe mbështejta e tij është shumë e mirëseardhur për të zgjedhur gjënë e duhur në momentin e duhur. Personalisht jam i dashuruar në futbollin dhe nuk ka rëndësi pozita në terren. Nuk e kam problem të luaj kudo që ekipi ka nevojë, por realisht më pëlqen të jem në sulm ashtu si xhaxhi im Ylberi”.

Për çdo të ri që rritet me ëndërrën për të luajtur në ekipin e parë, debutimi mbetet diçka shumë e veçantë dhe moment i paharruar. 15 shtator 2021, Renova ishte mysafire e Gostivarit në 1/16 e finales së Kupës dhe Ali Aliu gjen dy gola në ndeshjen e parë zyrtare me fanellën e Renovës.

Debutimi është diçka shumë e veçantë që do e mbaj mend gjithë jetën. Posaçërisht pasi realizova dy gola në atë ndeshje të Kupës kundër Gostivarit, ndërsa isha edhe asistues i një goli në fitoren 4:0. Jam shumë i kënaqur si shkuan gjërat dhe jam i bindur se do të vijnë edhe shumë gola tjerë”, thotë Ali Aliu i cili nuk fsheh ambiciet e tij të larta për të ardhmen.

Në kokë gjërat i kam të ndara shumë qartë, jam shumë ambicioz, dua të jem pjesë e rëndësishme e ekipit të parë të Renovës dhe më pas synoj të luaj në nivele më të larta. Më pëlqejnë sfidat e rënda dhe do të punoj shumë fortë për të ecur sa më lartë”. 

Aliu është paraqitur me përfaqësuesen e Maqedonisë deri më 19 vjeç dhe pohon se përzgjedhja e motivon për të punuar më shumë.

Natyrisht që është motiv dhe satisfaksion të jesh pjesë e ekipit përfaqësues. Kam luajtur me Maqedoninë U19 dhe mendoj se s’është gjë e vogël të zgjidhesh në mesin e më të mirëve të gjeneratës. Kjo më bën të mendoj se e bëj si duhet punën time dhe më bind që të vazhdoj të angazhohem edhe më shumë në çdo seancë stërvitore dhe ndeshje qoftë me ekipin apo përfaqësuesen”, përfundoi bisedën sulmuesi 18 vjeçar i Renovës, Ali Aliu. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close