AIK heq dorë nga Jasir Asani, sulmuesi i Partizanit shqyrton ofertat e tjera

Burime për SuperSport kanë bërë të ditur vendimin e klubit suedez që i është komunikuar ndërkohë vetë futbollistit. Në një sezon të trazuar nga koronavirusi, si në aspektin financiar, ashtu dhe në atë sportiv, zhvillimet kanë prekur edhe 25-vjeçarin nga Shkupi.

Jasir Asani u huazua nga Partizani te klubi suedez janarin e kaluar për 6 muaj, me të drejtë blerjeje në përfundim të kësaj periudhe, por AIK ka vendosur të mos e kryejë këtë pagesë, me sulmuesin që i jep fund në këtë mënyrë aventurës me fanellën e klubi nga Stockholmi ku koleksionoi vetëm 4 prezenca dhe 1 gol.

Teknikisht futbollisti mbetet një lojtar i Partizanit pasi ka një kontratë deri në janarin e ardhshëm me “të kuqtë”, por ndërkohë burime pranë lojtarit bëjnë të ditur se Asani ka plane të tjera, pasi fillimisht do të shkojë në Maqedoninë e Veriut për disa ditë pushime.

Ofertat në drejtim të Asanit nuk i mungojnë dhe me disa opsione “në xhep”, futbollisti që spikati për 3 sezone e gjysmë në Kategorinë Superiore duke u konfirmuar si një ndër lojtarët më të mirë të kampionatit, do të marrë kohë për të zgjedhur me kujdes destinacionin e ri për të ardhmen e tij.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close