Ishte fillimisht skuadra e AZ Alkmaar ajo që reagoi, bazuar në vendimin për klasifikimin e skuadrave që do të marrin pjesë në garat evropiane.

Njësoj sikur Alkmaar, reagim ka ardhur edhe nga FC Utrecht, pikërisht për shkakun e njëjtë; garat evropiane.
Utrecht ka mbetur jashtë skuadrave, pasi vendimi i KNVB thotë se skuadrat nga 1 deri 5 garojnë në Evropë. Por, Utrecht luan në Kupën e Holandës, si dhe bënte pjesë në mesin e skuadrave që mund të siguronin një vend për ‘play-off’.
“FC Utrecht nuk pranon vendimin sa i përket mënyrës për klasifikimin e skuadrave që luajnë në garat evropiane. FC Utrecht nuk heziton që vendimin për të mos na dhënë një vend që dërgon në garat evropiane, ta sfidojë në gjykatat sportive të UEFA”, thuhet në një njoftim të klubit, transmeton lajmi.net.
“KNVB njoftoi se skuadrat nga 1 deri në 5 luajnë në Evropë. Është e papranueshme nga FC Utrecht se si është anashkaluar kompeticioni i Kupës, ku finalja nuk është luajtur. Feynoord fitoi biletën për garat evropiane pa asnjë shpjegim. Ne kemi një ndeshje më shumë të fituar në Kupë, gjë që nuk u përmend në prezentimin e sotëm”, thuhet ndër të tjerash në komunikatën e Utrecht.
Vështirë se vendimi i KNVB do të ndryshojë. Mbetet të shihet nëse reagimet e skuadrave do të marrin përgjigje. /Lajmi.net/

