Shtyhen të gjitha eventet sportive në Amerikë

Me t’u mësuar lajmi sportistët e këtyre skuadrave refuzuan për të zbritur në fushë në shenjë solidariteti dhe një pjesë e mirë e aktiviteteve më të rëndësishme përsa i përket këtyre sporteve në këto liga nuk u zhvillua. Ngjarja ka ndodhur ditën e dielë në Qytetin e Kenosha-s, pranë Milwaukee-t në Wisconsin kur një grua telefonoi Departamentin e Policisë për të denoncuar një grindje familjare. Policia mbërriti në adresën e caktuar dhe u mundua të arrestojë Jacob Blake, që u përpoq të justifikohet se kishte ndërhyrë thjesht për t’I dhënë fund sherrit ndërmjet dy grave, ky është madje edhe versioni i avokatëve mbrojtës të familjes apo dhe disa dëshmitarëve, që kanë raportuar se 29-vjecari ka mbërritur pasi kishte shpërthyer zënka me tone të larta, në një shtëpi aty pranë, ndërsa policia pretendon të kundërtën, pra për një grindje mes Zotit Blake dhe të dashurës së tij.

Gjatë përpjekjeve të tyre për ta arrestuar, mësohet se policët kanë përdorur edhe “taser”, një lloj arme e specializuar që përdoret për të paralizuar shkelësit e ligjit nëpërmjet “electroshock”-ut. Jacob Blake është parë t’I drejtohet makinës dhe të hapë derën e parë, ndërkohë policët që e ndiqnin nga shumë pranë kanë hapur zjarr në drejtim të tij, në pjesën e kurrizit. Pamjet janë regjistruar të gjitha në një video, ku dëgjohen shtatë të shtëna gjithsej. Jacob Blake u godit në shpinë dhe u mbështet te ndenjësja e shoferit. Ai u transferua me urgjencë I plagosur në Spitalin e Milëaukee-t, ku edhe iu nënshtrua një ndërhyrje të gjatë kirurgjikale, për të reduktuar dëmtimet në pjesën e veshkave, mëlcisë, stomakut si dhe shtyllës kurrizore. Avokatët e 29-vjecarit konfirmuan se Zoti Blake është në terapi intensive, por do të nevojitet një mrekulli që ai të mundë të ecë përsëri. Lajmi u përhap me vonesë, megjithatë kur mbërriti në veshët e sportistëve pati efekt të menjëhershëm. Të parët që reaguan ishin basketbollistët e Milëaukee Bucks, franchise-t nga Wisconsin që duhet të zbrisnin në parket në Disney World, pranë Qytetit të Orlandos në sfidën e pestë të serisë së play off-it në NBA ndaj Orlando Magic, sidoqoftë anulimi I këtij dueli shkaktoi edhe efektin e kuptueshëm zinxhir, duke patur parasysh që një pjesë e madhe e sportistëve që aktivizohen në ligat kryesore të Shteteve të Bashkuara janë me ngjyrë dhe si gjithmonë edhe vetë shokët e tyre të ekipit apo dhe drejtuesit e skuadrave të ndryshme janë tepër të ndjeshëm ndaj ngjarjeve të tilla, me sfond racial.

Po në NBA u shtynë gjithashtu edhe dy ndeshjet e tjera të play off-it që duhet të zhvilloheshin rregullisht sipas kalendarit. Bëhet fjalë për sfidat Houston Rockets–Oklahoma City Thunder dhe Los Angeles Lakers–Portland Trail Blazers. Mesazh sensibilizues dërgoi edhe ish-presidenti i parë me ngjyrë I Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, një tifoz i thekur i sportit të basketbollit, që vlerësoi në maksimum iniciativën e ndërmarrë nga Milëaukee Bucks dhe mbështetjen e vecantë nga ana e drejtuesve të NBA. LeBron James postoi në Twitter një mesazh ku kërkoi ndryshim, ndërsa kanadezi Jamal Murray i Denver Nuggets këmbënguli që drejtësia të vihet në vend, ndërkohë shtyrje të ndeshjeve pati gjithashtu edhe në Major League Baseball, ku nuk u zhvilluan takimet Milwaukee Brewers–Cincinnati Reds, San Diego Padres–Seattle Mariners, St. Louis Cardinals– Pittsburgh Pirates si dhe derbi kalifornian San Francisco Giants–Los Angeles Dodgers.

Në tenis reagoi po në të njëjtën mënyrë gjithashtu edhe numri 10 I botës, Naomi Osaka, që në New York në takimin gjysmëfinal preferoi për të mos zbritur fare në fushën e lojës, duke i dhuruar kështu një vend për në finalen e turneut Western and Southern Open pikërisht numrit 22 të renditjes WTA, tenistes belge Elise Mertens. Osaka deklaroi se në një moment të tillë ka gjëra shumë më të rëndësishme, se sa për të ndjekur atë duke luajtur tenis. që meritojnë menjëherë vëmendjen e duhur. Ashtu si në NBA edhe Woman National Basketball Association preferoi për të mos zhvilluar asnjë ndeshje në Bradenton në Shtetin e Floridas, e në këtë mënyrë nuk u zhvilluan ndeshjet Atlanta Dream–Washington Mystics, Minnesota Lynx–Los Angeles Sparks dhe Phoenix Mercury–Connecticut Sun.

Në Ligën e Hokejit NHL pati një moment reflektimi gjatë ndeshjes Boston Bruins–Tampa Bay Lightning që u luajt në Toronto, si dhe në takimin tjetër Dallas Stars–Colorado Avalanche, që u mbajt në Edmonton. Më herët edhe vetë lojtarët e franchise-t nga Michigani Detroit Lions në futbollin amerikan vendosën për të ndërprerë seancën stërvitore në shenjë proteste, duke dërguar një mesazh të qartë se nuk do të qëndrojnë të heshtur ndaj ngjarjeve të tilla. Shtyrje të ndeshjeve pati edhe në Major League Soccer në futboll, ku nuk u luajtën fare takimet Inter Miami–Atlanta United, Dallas –Colorado Rapids, Real Salt Lake–Los Angeles FC, San Jose Earthquakes–Portland Timbers si dhe Los Angeles Galaxy–Seattle Sounders.

Kjo ngjarje ndodhi vetëm tre muaj pas vdekjes së 47-vjecarit George Floyd në Minnesota, i cili humbi jetën gjatë dhunës së ushtruar në momentin e arrestimit, për përdorimin e një kartmonedhe 20-dollarëshe të falsifikuar në qytetin e Mineapolisit, e pikërisht ky ishte rasti famëkeq që nxiti edhe lëvizjen “Black Lives Matter”. Për rastin e regjistruar në Kenosha policët e ndodhur në vendngjarje thanë se gjetën një thikë në makinën e Jacob Blake, gjithsesi është hapur me urgjencë një hetim i gjerë federal nga Departamenti i Drejtësisë  dhe është publikuar edhe emri i Rusten Sheskey-t, si njeriu që shtiu plot shtatë herë në shpinën e 29-vjecarit, me përvojë 7-vjecare në Departamentin e Policisë së këtij qyteti, me diçka më pak se 100.000 banorë.

Protesta të mëdha në lidhje me këtë incident kanë shpërthyer në Oregon dhe Minesota, respektivisht në Portland dhe Mineapolis, në një kohë kur situata është përshkallëzuar dhe pas dërgimit të 200 agjentëve të FBI në Wisconsin Presidenti Trump autorizoi gjithashtu edhe 500 trupa të tjerë të Gardës Kombëtare për të vendosur qetësinë në këtë zonë. /Supersport

 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close