Nga e njëjta vendlindje te Juventusi, debutimi i Arman Durmishit është krenari edhe për agjentin Nusret Jashari 

Debutimi i 18-vjeçarit shqiptar Arman Durmishi si titullar me ekipin e parë të Juventusit në miqësoren ndaj Standard Liège ishte një moment i veçantë jo vetëm për sulmuesin e talentuar, por edhe për agjentin e tij, Nusret Jasharin. Agjenti i njohur me bazë në Lubjanë ka realizuar gjatë karrierës së tij shumë transferime të rëndësishme në futbollin evropian, por këtë herë emocionet tejkaluan anën profesionale.

Arsyeja është e thjeshtë, edhe Nusret Jashari është nga Negotina e Pollogut, fshat mes Gostivarit dhe Tetovës. Pikërisht ai besoi te talenti i Armanit dhe vëllait të tij, Dajanit, duke ua hapur dyert e Juventusit, ku u transferuan nga Koperi i Sllovenisë. Kalimi i Armanit te gjiganti italian u konsiderua një transferim rekord në futbollin slloven, me Juventusin që investoi rreth 2 milionë euro, përfshirë bonuset, për ta siguruar kartonin e tij në moshën vetëm 16-vjeçare.

Dy vite më vonë, Armani hodhi një tjetër hap të madh, duke debutuar si titullar me ekipin e parë të Juventusit. Për Jasharin, njeriun që ka ndërmjetësuar shumë transferime të rëndësishme gjatë karrierës së tij, kjo ishte një ndjenjë krejt ndryshe. Të shohësh një djalosh nga vendlindja jote të veshë fanellën bardhezi në ekipin e parë të Juventusit është një krenari që nuk matet me asnjë kontratë.

Ndonjëherë futbolli shkruan histori që vlejnë më shumë se milionat, histori që lindin nga besimi, puna dhe rrënjët. E tillë është edhe historia e dy negotinasve, Nusret Jasharit dhe Arman Durmishit, një rrugëtim që nisi në një fshat të vogël të Pollogut dhe sot ka mbërritur te një nga klubet më të mëdha në botë.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close