KHF Çairi do të zhvillojë të enjten ndeshjen e fundit si vendas për këtë sezon, ndërsa në Çair po përgatitet një atmosferë festive pas suksesit historik të skuadrës.

WHC Çair të enjten nga ora 19:00 në sallën sportive “Enver Idrizi” do të përballet me Astibon në ndeshjen e fundit si vendas për këtë sezon.
Skuadra nga Çairi tashmë ka siguruar vendin e dytë në kampionat, si dhe kualifikimin për garat evropiane dhe Ligën Rajonale, duke realizuar një nga sezonet më të suksesshme në historinë e klubit.
Para kësaj sfide, trajneri Basri Latifi u bëri thirrje tifozëve që të jenë të pranishëm në numër sa më të madh për të festuar së bashku sukseset e këtij edicioni.
Sipas Latifit, pjesëmarrja në EHF Cup dhe kualifikimi në Ligën Rajonale, ku Çairi do të përballet me skuadra nga Kroacia, Sllovenia, Mali i Zi dhe Serbia, përfaqësojnë një arritje të madhe për klubin dhe sportin në Çair.
Nga klubi vlerësojnë se ky sukses është rezultat i punës dhe angazhimit të madh gjatë gjithë sezonit, duke e konsideruar ekipin si një nga përfaqësuesit më të suksesshëm të sporteve kolektive në këtë komunë.
Në Çair pritet atmosferë festive dhe mbështetje e madhe nga publiku për ndeshjen që do të shërbejë edhe si festë për sezonin historik të skuadrës.

