Investim i rëndësishëm në Kamenjan të Tetovës, stadiumi i futbollit bëhet me reflektorë

KF Kamjani dhe Qendra Sportive Trajnuese “ES” nga fshati Kamenjan kanë finalizuar me sukses projektin për ndriçimin e stadiumit, duke krijuar kushte të reja për stërvitje edhe në orët e mbrëmjes.

Fillimisht, klubet shprehën mirënjohje publike për donatorët që kontribuan në realizimin e projektit të reflektorëve, me potencim të veçantë për pronarin e ëmbëltores “Bota e Ëmbël”, z. Nasuf Aliti, i cili mbështeti financiarisht blerjen e ndriçimit. Po ashtu, u vlerësua puna profesionale e firmave NH Elektro dhe Dullo Elektro për montimin korrekt të sistemit të ndriçimit.

Sipas njoftimeve të klubeve, sistemi përfshin pesë shtylla ndriçimi me nga dy deri në tre reflektorë secila, duke përmbushur kërkesat teknike për zhvillimin normal të stërvitjeve dhe aktiviteteve sportive në mbrëmje.

Mbrëmë, KF Kamjani zhvilloi stërvitjen e parë nën dritat e reflektorëve, një moment i veçantë për klubin që aktualisht është lider në Ligën e Tretë dhe pretendon ngjitjen në Ligën e Dytë. Nga klubi theksojnë se ky investim është më shumë se infrastrukturë, duke e cilësuar si hap të rëndësishëm drejt realizimit të objektivave sportive.

Stërvitje nën dritat e reflektorëve zhvilloi edhe Qendra Sportive Trajnuese ”ES”, shkollë futbolli që vepron kryesisht me moshat e reja (garoi edhe me ekip të seniorëve, mirëpo e ndërprenë kohë më parë), të cilët e vlerësojnë shumë këtë investim, duke e quajtur ”një projekt të bërë realitet”.

Ndriçimi i stadiumit pritet të ndikojë drejtpërdrejt në rritjen e standardit të punës, përgatitjes dhe organizimit, duke i dhënë fshatit Kamenjan dhe dy klubeve dhe jo vetëm, një bazë më të fortë për vazhdimësinë e sezonit pranveror.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close