Goli i parë i Marmushit kundër Njukasëllit lindi pas një asisti direkt nga portieri i Mançester Sitit, Ederson. Asistet e brazilianit për shokët e skuadrës së tij në Premier Ligë shkuan në shifrën 6 që prej transferimit të tij në “Etihad” në vitin 2017, duke vendosur një rekord të ri për portierët.

Ai lë pas Pol Robinsonin, i cili bëri 5 pasime për gol në karrierën e tij në kampionat me Lidsin, Totenhemin, Blekburnin dhe Barnlit. Gardiani, i cili njihet për cilësitë e lojës së tij me këmbë, u shpreh i kënauar pas fitores me Njukasëllin.
“Jam i lumtur që arrita këtë shifër. Shpresoj të ketë edhe shumë të tjerë. Është e vështirë të luash kundër Njukasëllit, sepse ata markojnë trup më trup. Unë shoh hapësirën dhe lojtari i tyre i lirë është portieri. Prandaj e dërgoj topin atje, sepse kemi lojtarë të shpejtë, si Savinjo, Marmush dhe Erling. Është e thjesht me ta,” tha mes tjerash Ederson.

