Agjenti shqiptar Sedat Duraki vazhdon të bëjë emër në tregun evropian të futbollit, duke realizuar një tjetër transferim të madh. Këtë herë, ai ka ndërmjetësuar kalimin e talentit serb Kosta Nedeljkoviç nga Aston Villa te RB Leipzig, një lëvizje që përfshin një huazim deri në fund të sezonit me opsion blerjeje për klubin gjerman.

Duraki, i cili po fiton gjithnjë e më shumë terren në botën e menaxhimit të futbollistëve, po dëshmohet si një figurë kyçe në transferimet e mëdha të lojtarëve të rinj në top ligat evropiane. Transferimi i Nedeljkoviç, një talent 19-vjeçar i dalë nga akademia e Crvena Zvezdës, tregon për ndikimin në rritje të menaxherit shqiptar, i cili tashmë po operon në nivelet më të larta të tregut të futbollit.
Në gjithë këtë punë, një rol të rëndësishëm ka edhe Fisnik Nuhiu, ish-drejtori sportiv i KF Renovës dhe një punëtor sportiv shumëvjeçar, i cili tashmë është krah i Durakit në lëvizje të rëndësishme, përfshi edhe ato të reprezentuesit të Maqedonisë së Veriut, Visar Musliu.
Ky nuk është suksesi i parë i madh i Sedat Durakit, dhe me hapa të sigurt, ai po e forcon emrin e tij si një nga agjentët shqiptarë më me ndikim në skenën ndërkombëtare.

