Në vitin 2024, ngjarjet sportive në rrezik trukimi u ulën me 17%. Kështu thuhet në raportin vjetor të Sportradar Integrity Services, i titulluar ‘Integrity in Action 2024 Global Analysis & Trends’ i publikuar këtë mëngjes.

Duke monitoruar mbi 850,000 ndeshje në 70 sporte në mbarë botën, raporti identifikon 1,108 ndeshje të dyshimta në 12 sporte, duke shënuar një rënie prej 17% krahasuar me vitin 2023. Nga pikëpamja gjeografike, Europa mbetet zona më e prekur nga çështjet e integritetit në sport, pavarësisht se ka një rënie me 34% në ndeshjet e dyshimta, me 439 raste vitin e kaluar krahasuar me 668 raste në vitin 2023. Në Afrikë u zbuluan 69 evente sportive në risk manipulimi, 36% më pak krahasuar me vitin 2023. Futbolli mbetet sporti më i prekur për manipulime me 721 ndeshje të dyshimta kundrejt 881 të një viti më parë (-18%).
Në Brazil, ku fenomeni i trukimit të ndeshjeve është më i përhapur, ka pasur një ulje të rasteve me 48%, duke shkuar nga 110 në vitin 2023 në 57 raste në vitin që sapo u mbyll. Pas futbollit, sportet më të rrezikuara për trukim janë basketbolli (187 raste), tenisi (69 raste), pingpongu (41 raste) dhe esports (32 raste).
Hendeku gjinor vazhdon, me 1.057 evente sportive të dyshuara te meshkujt kundrejt 51 rasteve te femrat.
Për të zbuluar përpjekjet për mashtrim, Sportradar përdor një sistem të inteligjencës artificiale që identifikon flukset anormale të basteve për rezultatet që konsiderohen të pamundura.
Në vitin 2024, Sportradar ofroi mbështetje integriteti për ngjarjet kryesore globale si “Paris 2024”, Euro 2024, Copa America 2024 dhe AFC Asian Cup 2023.

