Në një sezon në të cilin Moise Kin po përjeton një rilindje të vërtetë, Fiorentina planifikon të blejë një sulmues tjetër për ta zëvendësuar në rast nevoje. Ish-qendërsulmuesi i Juventusit, me besimin e plotë të ambientit vjollcë, ka shifra të jashtëzakonshme: 8 gola të shënuar në kampionat, plus 3 gola në Ligën e Konferencës në 12 ndeshje të luajtura. Problemi ka të bëjë pikërisht me rastet kur Kin do t’i duhet “të marrë frymë”, duke qenë se i vetmi zëvendësues i pranishëm në skuadër është Kouame.

Fiorentina, shkruan “Corriere dello Sport”, për këtë arsye tashmë po punon të afrojë një zëvendësues për Moise Kin në Toskanë gjatë merkatos dimërore. Nuk është mister që vjollcët tentuan Milan Gjuriçin, sulmuesin e Monza-s, gjatë verës. Drejtuesit e klubit brianza “ngritën murin” dhe negociatat dështuan.
Një tjetër ide e Fiorentinës është t’i besojë një profili të ri dhe ekonomik, që mund të përshtatet shpejt. Emri i përzgjedhur është ai i 21 vjeçarit të Çezenës, Kristian Shpendi. Sulmuesi shqiptar ka shënuar tashmë 10 gola këtë sezon dhe çmimi i tij nuk i kalon 8-9 milionë euro. Për sa i përket skadimit të kontratës së shqiptarit, ky limit është caktuar për vitin 2026.

