Inter-Arsenal do të jetë padyshim edhe supersfida e së mërkurës në javën e 4 të Ligës së Kampionëve. Një përballje mes dy skuadrave “big”, që këtë sezon vijnë me objektiva të mëdha, duke qenë dy kandidate serioze për të shkuar pse jo deri në fund të këtij kompeticioni.

Interi do të synojë vijimin e rezultateve pozitive në Ligën e Kampionëve, pas dy fitoreve radhazi ato ndaj Crvena Zvezdës dhe Jang Bojsit. Ndërkohë edhe Arsenal, pas 3 ndeshjeve të para ka grumbulluar 7 pikë, pas 2 fitoreve dhe 1 barazimi.
Interi do të kërkojë të marrë edhe revansh ndaj “Topçinjve”, duke qenë se në përballjen e fundit mes tyre në “San Siro”, më 25 Nëntor të 2003, Tieri Anri me shokë shënuan 5 herë në portën e Toldos, për fitoren e londinezëve 1-5.
Inzagit i rikthehet me kohë të plotë turku Çalhanoglu, i cili u aktivizua për rreth 20 minuta në sfidën e së djelës ndaj Venezias dhe tregoi një gjendje të mirë fizike. Gjithashtu edhe Asllani ka kryer stërvitjen e plotë me shokët e tjerë të ekipit, duke qenë kështu një lajm i mirë jo vetëm për Inzaghin, por edhe për Silvinjon në prag të dy ndeshjeve vendimtare për Ligën e Kombeve.
Darmian dhe Frattesi janë në avantazh për një fanelë titullari në mesfushë. Dilema e vetme për teknikun zikaltër mbetet sulmi. Partneri i Lautaros mund të jetë Mehdi Taremi, me sulmuesin iranian që deri më tani i ka nisur ndeshjet në Ligën e Kampionëve si titullar. Forma jo e mirë e Turamit në ndeshjen e fundit ndaj Venezias, si dhe fakti që të dielën, Interi do të luajë përballë kryesueseve të Napolit, mund të bëjë që Inzagi ta lërë të pushojë francezin për këtë ndeshje.

