Ylli i Barcelonës, Lamine Jamal ka lavdëruar ekipin e tij pas fitores së thellë dhe bindëse ndaj Bayern Munich të mërkurën mbrëma në Ligën e Kampionëve. Barcelona ka mposhtur Bajern Munihun me rezultat 4-1 në ndeshjen e xhiros së tretë të Ligës së Kampionëve 2024/25.

Ekipi i trajnerit Hansi Flik dhuroi një paraqitje mahnitëse dhe fitoi falë tri golave të Rafinjas dhe një tjetër të Robert Levandovskit. Kjo fitore ka bërë që ylli i ri i Barçës, Jamal të ndihet krenar me ekipin e tij, të cilin e ka cilësuar si më të mirin në botë.
“Para kësaj ndeshjeje (kundër Bajern Munihut) ne tashmë po ndiheshim shumë të sigurt. Besojmë se jemi skuadra më e mirë në botë dhe mendoj se po e dëshmojmë. Ne do të shkojmë me të gjitha forcat tona dhe le të fitojë skuadra më e mirë në El Clasico”, ka thënë Jamal për “CBS Sports”.
Ndryshe, katalunasit përballen me Real Madridin në “Santiago Bernabeu” të shtunën, më 26 tetor, në orën 21:00.

