Sportmania ka kënaqësinë të prezantojë një emër të njohur dhe të respektuar në botën e futbollit, Megdan Sulejmani. I lindur dhe me origjinë nga fshati Raven, komuna e Gostivarit, Sulejmani jeton në Frankfurt të Gjermanisë që nga viti 1992, ku ka ndërtuar një karrierë të shquar në futboll dhe edukim.

Pasi përfundoi shkollën e mesme dhe Fakultetin e Shkencave Politike në Johann-Wolfgang-Goethe Universität, Sulejmani filloi rrugëtimin e tij si futbollist në akademinë e FSV Frankfurt, ku luajti në ligën e dytë. Megjithatë, një dëmtim i rëndë në krah e detyroi të ndërpriste karrierën e tij si futbollist në moshën 18-vjeçare. Pas kësaj, ai iu kthye studimeve dhe më pas vendosi të ndjekë pasionin e tij për futbollin nga një këndvështrim tjetër—atë të trajnerit dhe skautit.
Karriera e Sulejmanit si trajner filloi me sukses në SV Zeilsheim, ku brenda një periudhe të shkurtër, ekipi që ai drejtonte u bë kampion i qytetit. Kjo arritje i hapi dyert për një ofertë nga Kickers Offenbach, ku ai punoi për gati katër vite në Akademinë e tyre si shefi i departamentit të “skautingut” dhe zgjedhjes së lojtarëve. Gjatë kësaj periudhe, ai kontribuoi në zhvillimin e lojtarëve të rinj, disa prej të cilëve u transferuan në akademitë më të mëdha gjermane.
“Drejtimi i U15 te Kickers Offenbach është një nga arritjet e mia më të mëdha,” thotë Sulejmani. “Ajo skuadër mbetet më e suksesshmja në historinë e klubit dhe për mua është një krenari që nga ajo kohë tetë lojtarë u transferuan në akademitë më prestigjioze gjermane.”

Pas këtij suksesi, Sulejmani u bë një figurë e kërkuar nga akademitë e klubeve të mëdha, si TSG 1899 Hoffenheim, Eintracht Frankfurt dhe FSV Mainz 05. Ai zgjodhi të bashkohej me Mainz, ku tani punon si Drejtor i Departamentit të ”skautingut” dhe Përzgjedhës kryesor për grupmoshat U9 deri në U11. Gjithashtu, ai është anëtar i gremiumit të përzgjedhjeve për grupmoshat U12-U14.
Akademia e Mainz është e njohur për prodhimin e talenteve të shkëlqyera, përfshirë emra të famshëm si Andre Schürrle dhe trajnerët e mirënjohur Jürgen Klopp dhe Thomas Tuchel. Pavarësisht ofertave të shumta nga klube të tjera, Sulejmani ka vendosur të vazhdojë kontratën e tij dhe të qëndrojë në Mainz.
“Ekipet që unë drejtoj në Mainz marrin pjesë rregullisht në turne ndërkombëtare, ku përballen me klubet më të njohura evropiane,” shtoi ai. “Së fundmi, ekipi U10 mori pjesë në një turne në Krakov të Polonisë, ku arritëm të mundim ekipe si FC Barcelona dhe La Coruña, duke përfunduar në vendin e katërt nga 120 ekipe pjesëmarrëse.”
Me këtë histori suksesi dhe përkushtim të vazhdueshëm ndaj futbollit, Megdan Sulejmani është një shembull i shkëlqyer për brezin e ri të trajnerëve dhe sportistëve, dhe një krenari për komunitetin shqiptar në Gjermani dhe më gjerë.

