Mota ka gati stafin, por frenon: S’kam firmosur me Juventusin

N dërsa te Juventusi mbizotëron heshtja pas lamtumirës së Masimiliano Alegrit dhe mënyrës së ndarjes prej tij, në Bolonja Tiago Mota u paraqit në konferencën për shtyp, ndonëse ai vetë e priti me buzëqeshje atë që ishte 1 milion për qind e sigurt se cila do të ishte përgjigja e parë që duhej të jepte.

Dhe kjo duke qenë se për shumë, sot në mbrëmje do të sfidojë të ardhmen e tij, Juventusin: “Nuk kam marrë asnjë vendim lidhur me të ardhmen time dhe mbi të gjitha nuk kam firmosur ende asgjë me asnjë. Javën e ardhshme do të takoj presidentin Saputo dhe pasi të bisedojmë sy më sy do të marrim një vendim final. Kam respektin maksimal për klubin, presidentin, futbollistët e mi dhe mbi të gjitha për tifozët.

Do të jetë një vendim që do ta marrim së bashku dhe shumë shpejt edhe të gjithë ju do të dini të vërtetën, – bën hyrjen e tij Tiago Mota. – Mirënjohja ime ndaj Bolonjës do të jetë e përhershme. Madje nëse doni ta dini, për një Bolonja në Champions ka edhe një plan total në kokë se çfarë gabimesh nuk duhet të bëjmë më dhe sesi mund të jemi edhe më të fortë. Nëse rri dhe më shesin lojtarët që kam? Patjetër që do të mërzitesha, pasi unë jam një baba xheloz dhe tërbohem kur dikush më prek ‘fëmijët’ e mi”.

STAFI GATI- Sigurisht që Tiago Mota mund të jetë shumë i lidhur ngushtë me Bolonjën, por pa dyshim që Juventusi vjen një herë në jetë dhe natyrisht që joshja e “Zonjës së Vjetër” është shumë e madhe, pavarësisht deklaratave diplomatike, apo edhe ndoshta të vërtetës së trajnerit se nuk ka firmosur ende asgjë me bardhezinjtë. Por ndërkohë “Gazzetta dello Sport” garanton se jo vetëm Tiago do të jetë pasardhësi i Masimiliano Alegrit në Torino, por në të njëjtën kohë ai duket se ka përgatitur edhe stafin e tij prej 6 vetësh për të marrë me vetë në aventurën torineze.

Zëvendësit e tij janë dy, ai i anës atletike, Simone Kolinet, të cilin e njeh që nga kohët e PSG-së dhe ai që në stërvitje ulëret më shumë nga të gjithë të tjerët. Ndërsa i dyti është Aleksandre Hugo, ai që merret me anën taktike, i cili përpara se t’i bashkohej Motës te Bolonja drejtonte skuadrën e femrave U-19 të Lionit, por bashkë ishin njohur edhe më parë gjatë aventurë në Paris. Një kuriozitet, Hugo ka zëvendësuar dy herë Tiagon në stol, një herë te Specia dhe një tjetër te Bolonja, kur ka qenë i skualifikuar dhe ka fituar gjithmonë. Mes listës së stafit të tij është edhe kunati, Flavio Garsia, bashkëshorti i motrës së Tiagos, i cili së bashku me Alesandro Kolasante formojnë dyshen e analistëve të ndeshjeve dhe rivalëve të radhës.

Më pas, dy përgatitësit e portierëve, Alfred Dosu Jovo, që në Francë njihet ai që ka bërë të mëdhenj Majk Menjanë dhe Areolan (dy nga tre portierët e Kombëtares së Francës), ndërsa përkrah tij qëndron një djalosh i ri, 28-vjeçari Iago Lozano. Ky i fundit, argjentinas, u bën i njohur kur u përzgjodh nga Vijareali që në vitin 2018 për të përgatitur portierët e spanjollëve, profesion për të cilin ai la edhe karrierën personale, në kategorinë e tretë spanjolle. Dhe ky është stafi me të cilin Tiago Mota kërkon që të ringrejë Juventusin dhe të vazhdojë rrugën spektakolare të nisur nga Specia te Bolonja…

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close