SOT “EL CLASICO”/ Ançeloti kundër Xavit, e fundit për një titull në La Liga

Një “El Clasico” e re mes Xavi Hernandezit dhe Karlo Ançelotit. Ajo e së dielës (21:00) në “Santiago Bernabéu” mund të jetë e fundit për trajnerin e Barcelonës, nëse ai vendos t’i qëndrojë besnik vendimit të marrë më 27 janar për t’u larguar nga drejtimi i klubit blaugrana në fund të sezonit.

Kjo do të jetë hera e pestë që Ksavi dhe Ançeloti takohen në “El Clasico” dhe me këtë rast, ata do të përpiqen të prishin ekuilibrin që ekziston mes tyre në kampionatin spanjoll. Dy trajnerë, me të njëjtin objektiv: Ançeloti për të vulosur titullin në La Liga pikërisht në “El Clasico” dhe nga ana tjetër Ksavi Hernandez që kërkon të thyejë Realin për ta reduktuar me 5 pikë diferencën me “los blancos”. Sepse Ksavi mendon se me një fitore në Madrid do ta vinte nën presion Realin me 18 pikë të tjera të mbetura në valle. Deri më sot, në katër herët që janë përballur me njëri-tjetrin në La Liga, të dy kanë arritur të fitojnë nga dy herë.

Më 20 mars 2022, në “El Clasico”-n e parë të Ksavit në stol, Barça arriti një fitore madhështore në “Bernabéu” (0-4), me një dygolësh nga Obamejang dhe dy gola të tjerë nga Arauho dhe Ferran Torres. Në ndeshjen e tyre të dytë në kampionatin spanjoll, po në “Santiago Bernabéu” (16.10.2022), ishte Ançeloti ai që mori fitoren (3- 1). Në ndeshjen e parë të ligës në “Camp Nou” (19.03.2023), Barça arriti të bënte një hap përfundimtar drejt titullit me fitoren 2-1, falë golave të Serxhi Robertos dhe Kesit. Së fundi, për sa i përket këtij sezoni, i luajtur në “Montjuiç”, Madridi arriti të fitonte 1-2 me një dygolësh nga Bellingam që zhvlerësoi golin e Gyndoan për Barcelonën. Rrjedhimisht, të dy trajnerët kanë nga dy fitore në La Liga, ndaj dueli i kësaj të diele mund të prishë ekuilibrat. Nga një Superkupë për secilin.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close