Shkarkohet Gennaro Gattuso!

Gennaro Gattuso nuk është më trajneri i Marseille.

Shtatë ndeshje radhazi pa fitore, pesë prej tyre në kampionat kanë bërë që Marseille të marrë vendimin për të shkarkuar trajnerin Gattuso, që pasoi Marcelino-n në nisje të sezonit.

Italiani mori drejtimin e skuadrës franceze më 27 shtator dhe qëndroi për 24 ndeshje, me 9 fitore, 9 barazime dhe 6 humbje, por viti 2024 rezultoi vërtet i vështirë, me skuadrën që ka humbur totalisht sensin e fitores.

Disfata ndaj Brest të dielën në mbrëmje ka bërë që presidenti Pablo Longoria të humbas durimin duke marrë edhe vendimin e shkarkimit, ndërsa në Francë po qarkullon lajmi se Christophe Galtier qëndron në “pole-position” për të marrë drejtimin e Marseille.

57-vjeçari, i lindur në Marseille ka luajtur për klubin në karrierën e tij, por kurrë nuk e ka drejtuar skuadrën e qytetit të lindjes, teksa në Francë, Galtier ka një CV të pasur, me 4 trofe, dy tituj kampion (Lille dhe PSG), një Coupe de la Ligue dhe një Superkupë.

Për momentin, skuadra do të drejtohet nga Jean-Louis Gasset, teksa ky i fundit do të nis përgatitjet për ndeshjen e mesjavës, atë në Europa League përballë Shakhtar Donetsk, teksa në kampionat do të mas forcat me Montpellier, të dielën e ardhshme. Aktualisht, në Ligue 1, Marseille pozicionohet në vendin e 9 me 30 pikë dhe nuk ka asnjë fitore për vitin 2024, sukses që mungon prej 17 dhjetorit të vitit të kaluar.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close