Shkëndija e nisi mbarë gjysmësezonin pranveror, duke mundur 1:0 Makedonija Gj.P. në Shkup në duelin e xhiros së 19-të në Ligën e Parë të futbollit të Maqedonisë së Veriut. Ennur Totre nga penaltia ishte autor i golit që solli fitore në ndeshjen e parë zyrtare për trajnerin Jeton Beqiri, pas kthimit të tij në Shkëndijë.

Trajneri s’ishte i vetmi që ‘debutonte’, pasi për herë të parë në një ndeshje zyrtare me kuqezinjtë u paraqitën Meliqi, Kocev, Krstevski e Webster.

Anes Meliqi mund të llogaritet ‘basti’ i fituar i trajnerit Jeton Beqiri. Vetëm 18-të vjeç, shtatëlartit i’u besua një pozicion shumë i ndjeshëm si partner i Cakes në qendër të mbrojtjes. Përgjigja e tij ishte fantastike, pasi Meliqi ishte super i saktë në çdo intervenim, madje në momente duke u shfaqur shpëtues i situatave më delikate. Duke regjistruar paraqitjen e tij të parë në një ndeshje zyratre me fanellën e Shkëndijës, Meliqi të jepte përshtypjen e një lojtari me përvojë disavjeçare në konkurencë të seniorëve.

