Besa e Dobërdollit klub ambicioz e model falë familjes Tairi

Tradita në futboll është diçka që s’blihet me para, mirëpo në këto kohë moderne edhe futbolli evropian na jep pafund shembuj se nga e kaluara nuk jetohet. Shumë klube në vende të ndryshme ngriten lartë nga investimet e mëdha, duke lënë në hije skuadra tjera me traditë të madhe e të gjatë në futbollin e vendeve respektive e më gjërë. E marrim një shembull të thjeshtë, Nottingham Forest është skuadër angleze e formuar në vitin 1865, pra 158 vite më parë, mes tjerash kanë fituar dy herë Ligën e Kampionëve në vitet 1979 dhe 1980, derisa për momentin në futbollin anglez e atë evropian „ligjin“ e bën Manchester City me investitorët super të pasur nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

E pra i kthehemi temës për të cilën nisëm këtë tekst, me klubin e futbollit Besa nga fshati Dobërdoll i Gostivarit dhe famijen Tairi si kryefjalë të kësaj storie të bukur që ka lindur dhe po rritet në këto anë.

Vetëm pak vite më parë, kryefamiljari haxhi Muhamed Tairi, bashkë me djemtë e tij Zejdinin dhe Elhamin vendosën që t’i futen investimit në futboll. Familje shumë e suksesshme me kompaninë e tyre GLOBAL IMMOBILIEN GMBH që operon në Gjermani dhe jo vetëm. Ideja e kësaj familje fisnike e atdhedashëse ishte që një pjesë të pasurisë së tyre fituar në mërgim, ta orientojnë në sport, për tu mundësuar kushte më të mira të rinjëve të kësaj zone që të zhvillohen në sportin e futbollit. Duke u rritur e duke u mishëruar me këtë sport, tashmë nuk është fshehtësi se KF Besa publikisht ka prezantuar ambiciet për inkuadrim në shoqërinë elitare të futbollit në vend. Për këtë merkatoja verore Besën e nxori në plan të parë, ndërsa transferimet e emrave të mëdhenj si Armend Alimi, Izair Emini, Darko Tofiloski, Burim Sadiki, Hristijan Dragarski, e të rinjtë Alban Taipi, Zani Nazifi e shumë të tjerë, bënë që Besa të përmendet më shumë se pjesa më e madhe e skuadrave elitare të vendit tonë.

Të shtunën e shkuar Besa fitoi 2:0 në fushë të vet Kozhufin, duke marrë sërish kreun e renditjes tabelare në Ligën e Dytë. Pas 6-të xhirove me 5 fitore Besa është e para dhe hapëron sigurtë drejt realizimit të objektivit kryesor, inkuadrimit në Ligën e Parë.

Rezultatet tregojnë seriozitet, por më e bukura është të vizitohet ky klub, për të ndjerë nga afër klimën që familja Tairi, në krye me haxhi Muhamedin dhe djemtë e tij kanë krijuar në klub. Disiplinë dhe rend që në arritje në stadium. Njerëz të shpërndarë në çdo sektor dhe ku secili din punën e tij, e më mikëpritje admiruese menjëherë të bëjnë të mendosh sërish të shkosh aty. Me stadiumin në Dobërdoll që është duke u rinovuar e përshtatur për nivelin e Ligës së Parë, Besa luan në Vrapçisht dhe aty edhe pse me modesti, gjërat janë përshtatur që të shohësh rend që në shikim të parë. Drejtuesit shpesh i ke në një skaj, ku me dashuri ndjekin Besën e tyre, teksa qetësia e tyre edhe në momete kur skuadra nuk ka rezultatin e duhur, të jep ndjenën se ata nuk dëshpërohen kurrë, por vetëm mendojnë se çka duhet shtuar që ekipi të jetë aty ku duhet.

Mesjavën e shkuar Besa luajti me Vardarin e Shkupit në 1/16 e Kupës së Maqedonisë. Barazimi 1:1 çoi ndeshjen në penalti, ku do të fitonte Vardari, mirëpo Besa asesi nuk doli e humbur nga kjo ndeshje. Përkundrazi, fitoi akoma më shumë simpati për lojën, për organizimin, për gjithë imazhin që la kjo ndeshje. Përballë kishin ekipin me më shumë trofe në vendin tonë, por ishte Besa që dukej klas ndaj tyre në çdo pikëpamje dhe për këtë imazh adresa e meritorëve është shumë e qartë, familja Tairi.

Haxhi Muhamedi me djemtë Zejdinin dhe Elhamin nuk u ndalën sezonin e shkuar kur u përhapën zëra se Besa po tërhiqej, e tani duken të motivuar të vazhdojnë fuqishëm për të ngritur ekipin në shoqërinë elitare. Si shkojnë gjërat deri tani, kjo gjë duket e afërt, ndoshta që sezonin e ardhshëm!

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close