Pas tre sezoneve shumë të mira me Shkëndijën e Tetovës, sulmuesi anësorë Ljupço Doriev këtë verë u transferua në Uzbekistanin e largët, te FC Sogdiana. Realisht, kjo lëvizje u duk si befasi, duke ditur se oferta të shumta mbërinin në adresë të lojtarit, mirëpo Doriev në një prononcim për SPORTMANIA sqaron se krahas pjesës ekonomike, vendimin e mori edhe për arsye sportive duke ditur investimet që bëhen në futbollin e Uzbekistanit.

“E dij se kalimi im në Uzbekistan ka befasuar opinionin, por personalisht e kam analizuar gjatë dhe mirë situatën para se të merrja një vendim. Fatmirësisht kisha mjaft oferta nga kampionate të ndryshme në Evropë dhe me kushte shumë të mira. Por ata që kanë njohuri për Uzbekistanin, besoj se e dinë se ky shtet investon shumë në futboll dhe besoni se bëhet fjalë për kampionat mjaft serioz”, thotë në fillim Doriev, duke vijuar të sqarojë se si u bind të kalonte në një vend realisht të largët.

“Po shqyrtoja oferta të ndryshme, e fundit shumë serioze dhe e favorshme nga Riga që investon goxha shumë kohëve të fundit. Mirëpo drejtuesit e Sogdianas dhe trajneri ishin shumë insistues duke shfaqur besim të madh te unë. Po flas për bisedime minimum 6 mujore. Thjesht ma bënë me dije se më duan me çdo kusht në ekip. Kjo më bëri të hulmtoj në detaje për klubin dhe shtetin. Pastaj ishte e lehtë me shumë kënaqësi të kaloj në një klub ku ndjehesh i dashur dhe i respektuar”, shton Doriev.
300 000 euro në vit është paga e Dorievit për kontratën 18 muajshe me Sogdianan, pa llogaritur bonuset e shumta të parapara në marrëveshje.
“Jo vetëm Sogdiana, por gjitha klubet dhe vetë shteti investojnë shumë në futboll kohëve të fundit. Krahas infrastrukturës, qeveria ka sjellë disa vendime që ndihmojnë shumë futbollin dhe klubet. Sot askush nuk është i çmendur për të hudhur para për kot. Këtu në Uzbekistan ka cilësi dhe pagat e larta nuk jepen pa bindur me kualitet. Duke parë si shkojnë gjërat, këtu futbolli do të ngritet akoma më shumë në periudhën që pason dhe unë jam i lumtur që luaj në një kampionat so ky”, përfundoi Ljupço Doriev.

