Shpëtim Duro: Zhalgirisi ka më shumë eksperiencë, por jo gjithmonë fitojnë favoritët

Kampionët e vendit tonë në futboll, Struga Trim Lum nesër do të përballen me Zhalgirisin në ndeshjen e parë të vlefshme për eliminatoret e Ligës së Kampionëve. Eksperienca e paraqitjeve në skenën europiane e bën ekipin lituanez favorit përballë Strugës, por trajneri Shpëtim Duro në konferencën zyrtare përmendi se në futboll jo gjithmonë fitojnë skuadrat e favorizuara para fillimit të ndeshjes.

“Kjo është padyshim një histori për Strugën Trim Lum. Klubi u themelua vetëm tetë vjet më parë dhe ka arritur kaq shumë. Ndoshta Zhalgirisi është favorit, ka më shumë eksperiencë me paraqitjet në Europë, por kjo nuk do të thotë se në fund do të kualifikohen. Ne u përgatitëm sa më shumë, u stërvitëm në fushë me bar artificial, duke e ditur që kushte të tilla na presin këtu në Vilnius. Nesër do të luajmë një ndeshje të rëndësishme, por kualifikuesi për në raundin tjetër do të vendoset në ndeshjen e dytë kur do të jemi nikoqirë”, ka thënë Shpëtim Duro.

Ndeshja ndërmjet Zhalgirist dhe Strugës do të luhet nesër, duke nisur nga ora 18:00.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close