Arsimi i Çegranit bën pazar te Voska Sport. Ajredin Cuculi dhe Ylber Beqiri kanë kaluar te skuadra e Ligës së Dytë, ndërsa në bisedime janë edhe Besar Rexhepin dhe Ensar Lumën.

Pas një sezoni shumë pozitiv në debutimin në Ligën e Dytë, Arsimi i Çegranit duket se është i bindur të ndërtojë ekip serioz për sezonin e ri. Burime të Sportmania-s mësojnë se drejtuesit e skuadrës çegranase kanë “peshkuar” dy mbrojtës te Voska Sport. Kërçovari Ajredin Cuculi dhe tetovari Ylber Beqiri janë dy lojtarë që pritet të risin nivelin e cilësisë në fazën defanzive të Arsimit.
Kjo nuk do të jetë e tëra, pasi nga Voska duken të piketuar edhe dy lojtarë tjerë. Mesfushori ofenziv Besar Rexhepi dhe sulmuesi i krahut Ensar Luma janë dy dëshirat tjera të çegranasve. Bisedimet janë në fazë të avansuar dhe ditët në vijim do të dëshmojnë nëse Rexhepi dhe Luma do të ndjekin rrugën e Cuculit dhe Beqirit për të kaluar nga Voska te Arsimi.

