Klubi i Futbollit të femrave Shkëndija do të luajë edhe sezonin e ardhshëm në elitën e futbollit të Maqedonisë së Veriut. Vashat kuqezi kanë fituar balotazhin për mbijetesë në elitë, duke mundur 2:1 KFF Atletiko. Dueli i luajtur në terrenin e kompleksit të Federatës së Futbollit të Maqedonisë së Veriut u dominua nga vashat e trajnerit Shpëtim Kuçi, që pas 20 minutave lojë avansuan 2:0 me golat e Ikmete Limanit. Fillimisht në minutën e 14-të realizoi për epërsi 1:0, ndërsa e njejta futbolliste në të 20-ën dyfishoi rezultatin. Vajzat e Atletikos në minutën e 45-të me anë të Melisa Dimitrioskas shënuan për zbutje të negativës, mirëpo kjo ishte e tëra që mundën të bëjnë deri në fund, kështu që fitorja 2:1 e Shkëndijës nënkuptoi mbetje në Ligën e Parë për vashat kuqezi.



