Enver Sulejmani dhe Nefi Useini nderojnë Ajet Shoshollin në promovimin e dokumentarit në Prishtinë 

Të hënën në Prishtinë në një ceremoni solemne dhe në praninë e shumë figurave të njohura nga bota e futbollit, sportit dhe politikës u bë promovimi i dokumentarit “Trajneri i gjeneratave” në të cilin përshkruhej jeta dhe vepra ndër vite e një prej trajnerëve më të mirë që ka pasur Kosova dhe jo vetëm, Ajet Shosholli. 

Seleksionuesi i parë i përfaqësueses së Kosovës që në kohën e okupimit serb, në vitet 1995/96 ishte trajner i Shkëndijës së Tetovës dhe trajneri që udhëhoqi kuqezinjtë drejt kualifikimit të parë dhe historik në elitën e futbollit të Maqedonisë. Rol të madh në angazhimin e Shoshollit asokohe kishte Enver Sulejmani, pjesë e kryesisë së ngushtë të asaj Shkëndije, e më vonë edhe pjesë e Renovës që do dilte kampione dhe pjesëmarrëse e rregullt në Kupat e Evropës. Pa harruar edhe faktin se në vitin 2013 Enver Sulejmani do të emërohej zëvendës sekretari i parë shqiptar në Federatën e Futbollit të Maqedonisë, pozicion ku do ta gjente edhe pensionimi. 

https://fb.watch/iQkHR7XzDV/?mibextid=l066kq

Pikërisht kjo ishte lidhja që Enver Sulejmanin, bashkë me Skender Jonuzin, Ibraim Osmanin dhe Harun Isën, regjistorët e dokumentarit do t’i shtynin që t’i bënin pjesë e folësve të ‘filmit’ “Trajneri i gjeneratave” kushtuar jetës sportive të Ajet Shoshollit.

Me këtë rast Sulejmani në shoqërim të pronarit të KF Voska Sport nga Ohri, Nefi Useini nderuan Ajet Shoshollin duke qenë prezentë në promovimin e dokumentarit, ndërsa në shenjë respekti ‘axha Enver’ si e thërret Shosholli, trajnerit legjendar i dhuroi një pllakatë ku mund të shihej Xhamia e Larme, një simbol i pashoq i qytetit të Tetovës ku Ajet Shosholli përveç si trajner, më vonë gjatë luftës (1998/1999) do të vendosej bashkë me familjen e tij pikërisht në konakun e Enver Sulejmanit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close