Real Madridi do të ketë mungesa të rëndësishme në përballjen e parë në fazën eliminatore të Champions League. Këtë të hënë, klubi ‘meringue’ ka publikuar listën e lojtarëve për ndeshjen ndaj Liverpoolit, në 1/8 e Champions League, të martën dhe në listë nuk janë mesfushorët Tchouaméni dhe Kroos.

Sipas shtypit spanjol, gjermani vuan nga gastroenteriti dhe ende nuk është shëruar, ndërsa francezi është me grip dhe nuk do të mund të luajë. Me ‘viktimat’, trajneri Carlo Ancelotti do të kthehet sërish te të rinjtë në bazë, duke thirrur mesfushorin Mario Martín dhe sulmuesin Álvaro Rodríguez, të dy nga 18 vjeç.
Pa qenë në gjendje të llogarisë në dy nga titullarët e tij në mesfushë, Ancelotti duhet të aktivizojë në zonën qendrore të skuadrës Camavingan, Modric dhe Ceballos. Mario Martín do të ishte i vetmi opsion i mesfushorit mbrojtës në stol.
Lajmi i mirë ishte përfshirja e sulmuesit Benzema, i cili muajt e fundit po përballet me probleme fizike. Francezi i mungoi Real Madridit kundër Osasuna dhe mori pjesë vetëm në një pjesë të stërvitjes së së dielës me skuadrën. Megjithatë, ai ka mundësi të luajë ndeshjen vendimtare ndaj Liverpoolit.
Skuadra e Real Madridit u nis për në Liverpool mëngjesin e kësaj të hënë, pasi mposhti Osasunën me rezultatin 2-0, të shtunën, për kampionatin spanjol. Skuadra madrilene përballet me anglezët në Anfield këtë të martë, në orën 21:00.
Ja dhe përbërja e skuadrës së Real Madridit për ndeshjen ndaj Liverpoolit:


