Arsimi i Çegranit merr pamje të klubit serioz

Barazimi 1:1 në transfertën me Vardarin në Shkup tregon se Arsimi tashmë len prapa kompleksin e përballjes me kushtimisht thënë ekipe “më të mëdha”, ndërsa paralajmërimet për investime në infrastrukturë duket se fshatin Çegran e rrethinën do ta shndërrojnë në qendër serioze të futbollit. 

Të jesh i ri me ëndërra të mëdha në një shoqëri nuk është e ndaluar, e kur dëshirat mbështeten në dijen e personave që njohin mirë këtë “marifet” të menaxhimit e organizimit në futboll, atëherë gjërat marrin kahje serioze.

Kështu mund ta përshkruajmë me pak fjalë atë që po ndodh në fshatin Çegran të Gostivarit, vendbanim që tashmë seriozisht njihet përmes futbollit, konkretisht KF Arsimit. 

Debutues në shoqërinë e skuadrave të Ligës së Dytë të futbollit në Maqedoninë e Veriut, KF Arsimi kaloi shpejt periudhën e akomodimit në këtë kategori dhe tashmë jep sinjalet me gjitha tiparet e një skuadre serioze. 

Momentalisht pozita e 9-të në konkurencë të 16-të skuadrave është renditje e kënaqshme, mirëpo duke parë organizimin brënda klubit, periudha që pason pritet të sjellë ngritje të “verdhezinjëve”. 

Në kohën kur kriza globale ka goditur fortë edhe futbollin tonë dhe skuadra me traditë e emër nuk gjejnë mënyrë për të përballuar vështirësitë ekonomike, KF Arsimi me një organizim të shëndoshë dhe me mjete të mbledhura nga vullneti i lirë i qytetarëve, gurbetçarëve e afaristëve, gëzon stabilitet në funksionim.

Barazimi 1:1 në transfertën me ekipin me më shumë trofe në Maqedoni, Vardarin tregon se Arsimi tashmë len prapa edhe kompleksin e përballjes me kushtimisht thënë ekipe “më të mëdha”, sepse duke punuar profesionalisht çegranasit nëse jo më lartë, me asgjë nuk gjenden poshtë tjerëve në kategorinë ku garojnë. 

Pas një vjeshte kur u desh të adaptohen me Ligën e Dytë, kryesia gjithashtu njihej me “terrenin” dhe me seriozitet e përkushtim u ‘lëshuan në aksion’ duke angazhuar në skuadër lojtarë cilësorë, një pjesë bukur e mirë me përvojë të madhe edhe në elitën vendore. 

Kësisoi, KF Arsimi tashmë ka një pamje të një klubi serioz, derisa paralajmërimet për investime në infrastrukturë duket se fshatin Çegran e rrethinën do ta shndërrojnë në qendër serioze të futbollit. 

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close