Ditë intenzive për Dashmir Elezin, që përfundimisht hap një faqe të re në karrierën e tij. Sulmuesi 18-të vjeçar është prezantuar te Torpedo Kutaisi i Gjeorgjisë, ku kalon si transferim klasik nga Shkëndija e Tetovës. Tetovari në mëngjes kaloi me sukses ekzaminimet mjekësore, pasoi njoftimi i Shkëndijës për shitjen e Elezit, më pas futbollisti me një postim në rrjetet sociale falemenderoi klubin e gjithë të punësuarit për bashkëpunimin, derisa pasdite ka ardhur edhe prezantimi me fanellën e skuadrës së tij të re. Elezi në shoqërim të menaxherit, Meriton Berisha ka pozuar me fanellën e Torpedo Kutaisit, duke nisur zyrtarisht një kapitull të ri në karrierën dhe jetën e tij. Gjithë kjo lëvizje u ndërmjetësua nga menaxheri shkupjan, Meriton Berisha, derisa merita të mëdha shkojnë për kryesinë e Shkëndijës që përkundër faktit se kishin plane tjera me Elezin, në fund nuk u bënë pengesë për dëshirën e lojtarit dhe familjes së tij.



