Përfaqësuesja e Maqedonisë së Veriut në futboll ka nisur përgatitjet për dy ndeshjet kontrolluese ndaj Finlandës dhe Azerbejxhanit. Grumbullimi i reprezentuesve ishte ditën e djeshme, ndërsa ekipi i Bllagoja Milevskit me disa ndryshime për shkak lëndimeve të futbollistëve, ka vijuar përgatitjet në kampin stërvitor “Petar Milloshevski” në Shkup. Futbollisti i Fenerbahçes, Ezgjan Alioski ka thënë se edhe përkrahë asaj që të dyja ndeshjet janë me karakter miqësorë, të gjithë futbollistët janë të motivuar për fitore.

“Të gjithë e dijmë se nuk është lehtë për të qenë këtu dhe për të luajtur ndeshje miqësore, pas atyre ndeshjeve të forta që kishim me klubet. Duhet të jemi të kujdesshëm, të mos lëndohemi në këto ndeshje. Çdo futbollist, fizikisht është më i lodhur, por edhe pse janë ndeshje miqësore ne duhet të përgatitemi mirë, jemi të motivuar dhe të provojmë për ti fituar të dyja ndeshjet”, tha reprezentuesi, Ezgjan Alioski.
Përfaqësuesja e vendit ndeshjen e parë e luan me Finlandën me 17 nëntor, duke nisur nga ora 18:00, ndërsa tre ditë më vonë do të përballet me Azerbejxhanin. Të dyja ndeshjet kontrolluese Maqedonia do ti luajë në arenën “Todor Proeski” në Shkup.

