Asnjë problem për Shkëndijën në 1/8 e finales së Kupës, pasi skuadra kuqezi avanson në çerekfinale pas fitores 5:0 dje përballë Skopjes në Tetovë. Shala e Doriev, si dhe nga dy penalti Stojanovski e Reshat Ramadani në të parën u kujdesën për epërsi të thellë 4:0, ndërsa në të dytën super gol shënoi Florent Ramadani për fiksim të rezultatit final 5:0. Pas ndeshjes ka folur autori i golit të pestë, që ka lavdëruar performansën e skuadrës.

“Mendoj se e merituam fitoren, dhe dominuam kundërshtarin gjatë 90-të minutave. E bëmë më të mirën nga vetja, duke realizuar detyrat që na dha stafi teknik dhe në fund rezultati tregon se ishim në nivelin e dëshiruar“, është shprehur Florent Ramadani.
Mesfushori kuqezi ka lavdëruar faktin se skuadra dha më të mirën që në start, duke krijuar epërsi të lartë që stafit teknik i dha lirinë për të pushuar më shumë futbollistë. Paralel me këtë, u krijuan kushtet që disa lojtarë të ri të debutojnë pasi Memetriza Hamza dhe Amir Nuhija u paraqitën për herë të parë me ekipin e seniorëve të Shkëndijës.
“Po sigurisht, mendoj se ata që nisën takimin e bënë detyrën e tyre, gjithashtu edhe ne që u futëm në lojë në fillim të pjesës së dytë ishim në nivel duke krijuar qetësi që mundësoi aktivizimin e të rinjëve. Mendoj se gjithmonë duhet të krijojmë kushte për tu dhënë shansin më të rinjëve të tregojnë veten e tyre“, shtoi Ramadani më i rritur, i cili në minutën e 61-të solli një super gol për shifra finale 5:0.
“Realisht më kishte munguar një gol si ky. Shpesh provoj me goditje të tilla dhe më vjen mirë që kësaj here topi përfundoi aty ky doja”, komentoi golin ”Lenti”.
Diçka unike në këtë ndeshje ishte fakti se në listën e golashënuesve te Shkëndija u regjistruan dy vëllezërit Ramadani. Më i riu, Reshati shënoi nga penaltia në fund të pjesës së parë, kurse Florenti në të dytën vulosi rezultatin final.
“Jam shumë i lumtur që shënuam edhe unë edhe Reshati dhe besoj se edhe familja do të jetë e lumtur. Falënderoj Zotin që na mundësoi këtë gjë“, përfundoi Florent Ramadani.

