Rrezikon të luhet ndeshja e të mërkurës Shkupi-Pobeda. Të paktën jo në Çair, ku është paraparë paraprakisht.

Shiu i rrëmbyeshëm ka vërshuar terrenin e stadiumit të FC Shkupit në Çair dhe duke parë sasinë e ujit mbase vihet në dyshim zhvillimi i një ndeshjeje futbolli vetëm 24 orë më vonë.
Terreni i Çairit më shumë se dy orë ishte i mbuluar me ujë dhe në vende ngjante si shtrat lumi.
Të mërkurën në program janë ndeshjet e xhiros së 5-të në Ligën e Parë të futbollit në Maqedoninë e Veriut. Shkupi pret si vendad Pobedën në duelin e planifikuar në orën 16:00, ndërsa pritet të shihet nëse sistemi i kullimit të terrenit të ri do “të bëjë punën” dhe të krijohen kushte për lojë.

