Të mërkurën me fillim në orën 17:00 në Stadiumin e Qytetit në Strugë Shkëndija ndaj ekipit të Skopjes do të zhvillojnë ndeshjen e mbetur nga xhiroja e parë e LPFM-së.

Takimi Shkëndija-Skopje u shty për shkak të pjesëmarrjes së kuqezinjëve në eliminatoret e UEFA Conference League.
Pas barazimit 1:1 të dielën ndaj Sileksit, kuqezinjtë do të futen në fushën e gjelbër për të regjistruar fitoren e parë në sezonin e ri garues.
“Pa marrë parasysh që nuk luajmë në terrenin vendas në Tetovë, ne e kemi rolin e favoritit në ndeshjen ndaj Skopjes dhe besoj se këtë edhe do ta dëshmojmë në ndeshjen e nesërme. Te skuadra ndjehet lodhja për shkak të orarit të ngjeshur pas ndeshjeve evropiane, por kjo nuk duhet të jetë pengesë që nesër të regjistrojmë fitoren e parë në këtë sezon”, është shprehur portieri i Shkëndijës, Dino Zahov.

