Paralajmërimi i Sportmania-s prej disa ditëve më parë merr konfirmim sot, pasi KF Shkëndija ka zyrtarizuar angazhimin e mbrojtësit të djathtë, Bashkim Velija. 28 vjeçari vjen nga rradhët e Laçit të Shqipërisë dhe firmos për dy vite me ish-kampionët e vendit.


Lojtari i ritur te Renova, viteve të fundit ka ngritur nivelin e tij dhe merita të mëdha shkojnë për agjensionin Tetovo Football Managment me drejtor Vedut Rustemin. Menaxhimi i lojtarit dy vitet e fundit kaloi në duart e TFM-së dhe pikërisht ky agjension ndërmjetësoi të dy transferimet e fundit të lojtarit, prej te Renova te Laçi dhe tash prej Laçit drejt Shkëndijës.

“Jam tepër i lumtur që sot bëhem pjesë e Shkëndijës. Ka qenë dëshirë e imja e kahmotshme që një ditë të luaj për Shkëndijën. Ajo që më shumë gëzon është se Shkëndija është duke krijuar një ekip cilësor dhe jam i lumtur që edhe unë do të jem pjesë e ekipit që pritet këtë vit të shënojë sukseset e radhës në garat evropiane. Unë i falënderoj drejtuesit e klubit që ma dhanë këtë mundësi. Jam lojtar që në fushën e gjelbër gjithmonë e jap maksimumin dhe ju premtoj të gjithëve se do t’i përkushtohem maksimalisht fanellës kuqezi”, është shprehur Bashkim Velija për faqen zyrtare të Shkëndijës, pas hedhjes së firmës në kontratën dyvjeçare me kuqezinjtë.

