Milan mori një fitore të artë 1-2 në Olimpico. Kuqezinjtë përmbysën Lazion dhe këtë arritën ta bëjnë vetëm në fund. Ashtu siç pritej, sfida ishte e luftuar deri në vërshëllimin e kryesorit, por pas 90 minutash, festoi ekipi i Piolit. Kjo ishte ajo që pamë sonte, në një nga “betejat” e mbetura të Seria A deri në fund.

4 minuta lojë. Kaq kanë mjaftuar që Lazio të zhbllokonte shifrat ndaj Milanit. Ka qenë i zakonshmi Immobile që ka “tundur rrjetën”, duke ndezur takimin në kryeqytet.
Goditje dënimi për Milanin në minutën e tetë. Gjithsesi, pa asnjë rrezik, pasi goditja e Tonalit lë për të dëshiruar.
Në minutën e 16-të, provon Giroud me kokë, por topi shkon jashtë.Tjetër tentativë e francezit në të 36-tën, por sërish pa rezultat.
Në minutën e 37-të, ekipi mik pretendon penallti pas një prekje me dorë të Luis Alberto, por VAR nuk mendon kështu.
Giroud vendos ekuilibrat në minutën e 50-të. Sulmuesi zgjatet bukur në zonë dhe me një top tokazi, mposht Strakoshën.
Në minutën e 60-të, Messias merr përsipër të zgjidhë gjithçka vetë, por nuk ia del.Në minutën e 80-të, Strakosha neutralizon një aksion të kuqezinjve.
Atëherë kur nuk pritej, musafirët gjejnë golin e avantazhit me Tonalin.
Milani është i pari me 76 pikë, 2 pikë më shumë se Inter, por këta të fundit duhet të luajnë edhe një ndeshje. Lazio është e gjashta me 56 pikë.

