Jeton Beqiri: Krenar për sezonin me Bylisin, kam oferta serioze nga Maqedonia

Tekniku tetovar Jeton Beqiri disi në heshtje dhe larg vëmendjes së mediave vendore ka zhvilluar një super sezon me Bylisin e Ballshit në Ligën e Parë të Shqipërisë. Kur kanë mbetur edhe tre javë deri në mbyllje të sezonit, Bylisi mban vendin e parë me 63 pikë, para KF Erzenit që është në vend të dytë, ndërsa pozita e tretë me 53 pikë mbahet nga Korabi. Në Super Ligë kalojnë dy ekipet e para në renditje, ndërsa me 3 ndeshje të mbetura dhe 9 pikë në lojë, Bylisi sheh veten 10 pikë larg vendit të tretë. 

Jam i lumtur dhe i kënaqur që 3 xhiro para përfundimit të kampionatit arritëm objektivin minimal që kishim në fillim të sezonit – inkuadrimin në kategorinë Superiore.

Si objektiv tjetër kemi që të shpallemi kampion në fund të kampionatit, për çka na duhen edhe 4 pikë që të sigurohemi matematikisht në 3 ndeshjet e mbetura”, shprehet Jeton Beqiri për Sportmania.

Bylisi dominoi gjithë sezonin, ishte lider gjatë gjithë kohës dhe tre xhiro në fund nga  27 duele të luajtura kanë efekt prej 20 fitore, 3 barazime dhe 4 disfata.

Ndjehem krenar që kemi plotësuar edhe objektivin tjetër që paralelisht me rezultatet këtë vit kemi aktivizuar dhe promovuar shumë lojtarë të ri – që është politikë e klubit”, vijon ish-trajneri i Shkëndijës së Tetovës, Renovës, Struga Trim Lum, Gostivarit, Dritës së Bogovinës, si dhe ish-asistent i Shpëtim Duros te Flamurtari i Vlorës. Nëse sezoni i ardhshëm do e gjejë në pankinën e Bylisit në Superiore apo Beqiri do të ndryshojë ambient mbetet të shihet nga zhvillimet e verës edhe pse në parim tekniku ka një marrëveshje me drejtuesit ballshiot.

Ne kemi një marrëveshje afatgjate në parim me presidentin, por nuk jemi ulur akoma të flasim për vazhdimësineë dhe çështjen e kontratës sepse jam i fokusuar që të mbarojmë kampionatin në mënyrën më të mirë të mundshme”, potencon Beqiri i cili zbulon edhe faktin se tashmë në ‘derën’ e tij trokasin klube të interesuara.

Kam pasur edhe dy konakte jo zyrtare nga 2 ekipe serioze në Maqedoni sa i përket projektit për sezonin e ardhshëm. Por e përsëris, në këtë moment jam i fokusuar vetëm te tre ndeshjet e fundit kampionale me Bylisin”, përfundoi Beqiri.

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close