Pas pauzës prej tre viteve, volejbollistet e Rabotniçkit kanë fituar Kupën e Maqedonisë në konkurencë të femrave. Në një finale të mrekullueshme dhe me kthesa në rezultat, vashat e Rabotniçkit, me shqiptaret Rona Jonuzi e Defina Rexhallari në formacion arritën të fitojnë me shifrat 3:1 përballë Janta Volej, ndërsa përveç trofeut të Kupës u dha edhe paralajmërimi se do të kemi përfundim shumë interesant të kampionatit të volejbollit në konkurencë të femrave. Finalja e luajtur në palestrën sportive “Jasmin” në Kavadar nisi më mirë për kampionet Janta Volej, që avansuan 1:0 pas setit të parë të fituar me shifrat 25:19 duke dhënë sinjale se nuk duan të vënë në diskutim trofeun e Kupës. Megjithatë ajo që do të pasonte ishte diamtralisht e kundërt me setin e parë, pasi vashat e Rabotniçkit morën veten, konsoliduan lojën dhe arritën të fitojnë tre setet pasardhëse, mbi të gjitha falë një stabiliteti psiqik në kushte kur çdo set fitohej me rezultatin e ngushtë dhe identik 25:23. Rabotniçki tregoi se ka më shumë nerva në momentet nerva në momentet deçizive në fund të secilt set, kur arrinin që t’i mbyllnin në favor të tyre me vetëm dy pikë diferencë. Kështu ndeshja u mbyll në katër seta dhe me fitore 3:1 të Rabotniçkit, që me të drejtë i’u gëzua trofeut të 13-të në Kupën e Maqedonisë në konkurencë të femrave, ndërsa paralel me këtë sukses ne gëzohemi për arritjen e vashave tona Defina Rexhallari e Rona Jonuzi që janë pjesë e rëndësishme e këtij triumfi.


