Ezgjan Alioski ka sqaruar për Sportmania arsyen e mungesës së tij në dy ndeshjet e para të Maqedonisë së Veriut në këtë grumbullim, duke hedhur poshtë çdo dyshim për ndonjë problem të ri me lëndim.

Mbrojtësi i majtë i Luganos është pjesë e grumbullimit të reprezentacionit, por nuk u aktivizua në duelin e parë ndaj Zvicrës në Shkup dhe nuk pritet të luajë as sonte ndaj Sllovenisë. Në opinion dhe në disa media u ngritën spekulime për një dëmtim eventual apo arsye të tjera, por Alioski për Sportmania sqaron se është mirë dhe vazhdon të jetë plotësisht i përfshirë me ekipin përfaqësues.
“Jam mirë dhe sigurisht jam me ekipin përfaqësues. E dimë që edhe në nivel klubi po kthehem nga lëndimi dhe gradualisht po merrja minuta te Lugano. Duke pasur parasysh se ky është një grumbullim i gjatë, së bashku me ekipin mjekësor të klubit dhe të reprezentacionit, si dhe me trajnerin dhe stafin teknik, është vendosur që të mos ngarkohem në dy ndeshjet e para, për t’i dhënë kohë rikuperimit”, ka sqaruar Alioski.
Vendimi është marrë në kuadër të një plani të përbashkët për menaxhimin e ngarkesës, me fokus te dy sfidat e ardhshme. Pas ndeshjes së sontme ndaj Sllovenisë, Maqedonia e Veriut do të përballet me Skocinë në Shkup dhe më pas me Zvicrën në Lucern, ndërsa Alioski pritet të jetë në dispozicion për këto dy përballje.
Pra, mungesa e tij ndaj Zvicrës dhe Sllovenisë nuk lidhet me ndonjë problem të ri, por me kujdesin për rikuperimin dhe menaxhimin e minutave pas rikthimit nga lëndimi.

