Rinisja e futbollit në Spanjë nuk ka qenë edhe aq pozitive për Real Betisin, por sidomos për trajnerin Rubi, i cili është shkarkuar zyrtarisht nga drejtimi i ekipit andaluzian. Humbja në derbin ndaj Seviljes, barazimi ndaj Granadës në shtëpi, si dhe humbja ndaj Bilbaos kanë bërë që drejtuesit e klubit të marrin vendimin drastik për Rubin, i cili kishte ardhur në krye të stolit në qershor të vitit të kaluar. Për momentin, rolin e trajnerit te Betisi e ka marrë Aleksis Trujillo, i cili një gjë të tillë e bën për herë të dytë, pasi edhe në vitin 2017 e drejtoi ekipin përkohësisht pas shkarkimit të trajnerit të asokohe Viktor Sançez.




