Anëtari i Ligës së Dytë të futbollit vendor, Arsimi i Çegranit ka bërë lëvizjen e parë në merkaton e janarit. Mesfushori Albin Ramadani është përforcim i Arsimit, duke u bërë një vlerë e shtuar e ekipit verdhezi. Arsimi po zhvillon një sezon shumë pozitiv në kategorinë e dytë, derisa bazuar në këtë lëvizje të parë në merkato, duket se në pranverë do të shfaqen me formacion akoma më cilësorë.

Ramadani ka përvojë të konsiderueshme në futbollin vendor si në elitë, ashtu edhe në Ligën e Dytë. Ramadani i rritur te shkolla e Shkëndijës së Tetovës, te Arsimi vjen nga Voska Sport e Ohrit, derisa më herët është paraqitur edhe me Besën e Dobërdollit dhe Ohrin. Vitin e kaluar ishte ndër lojtarët më të mirë të ligës së dytë, ndërsa këtë gjysëmsezon ka luajtur me Voskën në Ligën e Parë.

