Ndeshja që hapi javën e shtatë në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut, ishte dueli që u zhvillua në Çair ndërmjet FC Shkupit dhe Brera Strumicë, që u mbyll me fitore të vendasve me rezultatin 1:0.

Në pankinën e skuadrës nga Çairi debutoi në ndeshje zyrtare strategu, Mlladen Zhizhoviç, ndërsa pas ndeshjes, nën emocionet pasi ditë më parë humbi të atin, trajneri i Shkupit mes tjerash ka thënë se ekipi tij absolutisht e ka merituar këtë fitore.
“Mendoj se absolutisht e kemi merituar këtë fitore, nga ajo që kemi treguar sot. Sigurisht që edhe mysafirët në një moment patën shansin e tyre, pasi ne kishim edhe fatin, kur goditën shtyllën pas një aksioni në tranzicion. Por marrë në përgjithësi duke parë statistikat, nga goditjet drejt portës, numri i rasteve, mendoj se absolutisht është fitore e merituar. Sigurisht se për mua ishte një ndeshje shumë e vështirë dhe shumë emotive, i falënderoj futbollistët të cilët kanë dhënë maksimumin e tyre, dhe shpresoj që do të vazhdojmë me këtë ritëm”, ka thënë trajneri Zhizhoviç.

