Inter Miami ka luftuar në javët e fundit pa superyllin e dëmtuar Lionel Messi, duke humbur finalen e US Open Cup ndaj Houston Dynamo, mes një rënieje në formë në MLS, e cila i ka shpresat e saj për në “play off” të MLS Cup, të varura në balancë.

Për t’i bërë gjërat edhe më keq, gazetari Gastón Edul i medias argjentinase “TyC Sports” ka raportuar se Messi nuk do të luajë në ndeshjen e ligës të së mërkurës jashtë Chicago Fire. Megjithatë, ai ka zbuluar se klubi nga Florida ka në plan për ta rikthyer shtatë herë fituesin e “Topit të Artë” përsëri në ekip.
“Leo Messi nuk do të luajë kundër Chicago Fire. E shtuna e 7 tetorit është ndeshja e fundit para grumbullimit të kombëtares së Argjentinës (Inter Miami – Cincinnati). Ata (Inter Miami) synojnë që ai të ketë pak kohë lojë në atë ndeshje”,- ka postuar gazetari në rrjetet sociale.

Pas barazimit të djeshëm kundër NYCFC, trajneri i “Çafkave”, Gerardo “Tata” Martino, deklaroi: “Ne nuk rrezikuam me të në finalen e kupës, kështu që ka edhe më pak nevojë për ta bërë këtë tani. Ai mund të jetë gati të luajë kundër Çikagos, mund të jetë në stol ose nëse mendojmë se ka ende një rrezik, ai duhet të lihet jashtë. Kështu do të jetë edhe kundër FC Cincinnati (të shtunën më 7 tetor). Është rikthyer në stërvitje, larg pjesës tjetër të grupit, por ndihet gjithnjë e më mirë.”
Java e ardhshme do të jetë vendimtare për të përcaktuar nëse Inter Miami do të kualifikohet në “play-off” të MLS, me Chicago Fire një rival të drejtpërdrejtë në garën për të përfunduar në nëntëshen e parë dhe Cincinnatin, tashmë të kurorëzuar si fitues. Pas ndeshjes së dytë, “Çafkat” nuk kanë më ndeshje për 11 ditë, për shkak të një pushimi ndërkombëtar.
Në rrethana normale, kapiteni fitues i Kupës së Botës, Leo Messi do të thirrej nga Argjentina , e cila do të përballet me Paraguajin në “Estadio Más Monumental” në Buenos Aires më 12 tetor përpara se të përballet me Perunë në “Estadio Nacional” në Lima më 17 tetor. Nëse do të jetë kështu, mbetet për t’u parë.

