Nga mërgata që ndërton jetë me punë dhe përkushtim, vazhdojnë të dalin histori që meritojnë vëmendje. Një prej tyre është edhe Valon Murtezani, një djalosh i ri 15 vjeçar që po formohet me seriozitet në futbollin gjerman.

Mesfushor modern që mbulon rolet 6, 8 dhe 10, Valoni ka treguar zhvillim të vazhdueshëm në çdo hap të karrierës së tij.
Fillimet i ka bërë te Hertha Zehlendorf, ku ka spikatur me mbi 40 gola në moshat e reja. Më pas kaloi te Berlin Athletic Club 07, duke vazhduar me performanca të mira dhe rreth 24 gola në dy sezone.
Sot është pjesë e Stern 1900 Berlin (U19), ku ka debutuar në një moshë shumë të re për këtë nivel, duke u përballur me lojtarë më të rritur dhe duke dëshmuar se ka potencial për më shumë. Edhe pse sezoni nuk ka qenë i lehtë për shkak të një lëndimi në fillim, ai është rikthyer dhe ka dhënë kontribut në ekip. Sipas informacioneve, pritet që gjatë verës të bëjë një hap tjetër të rëndësishëm në karrierë, me kalim te akademia e Union Berlin-it, një mundësi e madhe për zhvillimin e tij të mëtejshëm.
“Jam i përkushtuar maksimalisht çdo ditë për të përmirësuar veten. E di që rruga nuk është e lehtë, por me punë dhe besim dua të arrij sa më lart. Jam krenar për rrugëtimin tim deri tani dhe mirënjohës për familjen dhe trajnerët që më kanë mbështetur”, thotë Valoni.
I frymëzuar nga loja e Luka Modriçit dhe i apasionuar pas filozofisë së Johan Cruyff-it, ndërsa simpatizon Ajax-in, Valoni përfaqëson një profil lojtari që kombinon talentin me inteligjencën në lojë.
Edhe pse është përballur me sfida si lëndimi në fillim të sezonit, ai është rikthyer dhe po vazhdon të rritet në një ambient konkurrues, duke luajtur kundër lojtarëve më të mëdhenj në moshë.
Në një kohë kur shumë të rinj shqiptarë në diasporë po luftojnë për ëndrrat e tyre, historia e Valon Murtezanit është një tjetër dëshmi se me punë, disiplinë dhe përkushtim, rruga drejt suksesit është e mundur.

