UFC, Nxënësi i Khabibit mposht rivalin brazilian dhe shpallet kampion bote

Sportisti rus Islam Makhachev është kampioni i ri i botës në peshën e lehtë në artet marciale mikse. Në eventin UFC-280, zhvilluar sot në mbrëmje në Abu Dhabi, ai mposhti me “submission” në raundin e dytë ish-kampionin e botës së këtij Divizioni, brazilianin Charles Oliveira (33 fitore, 8 humbje e 1 duel pa rezultat).

Një sfidë e shumëpritur mes dy sportistëve, për më tepër që rusi është nxënësi i një ish-kampioni të botës po në këtë Divizion, Khabib Nurmagomedov (i pranishëm në staf). Dhe Makhachev (23 fitore e 1 humbje) nuk zhgënjeu në kafaz, duke ndjekur rrugën e trajnerit të tij dhe rikthen titullin e kësaj peshe në Rusi.

Dy goditje “flash” në mesin e raundit të dytë befasuan Oliveira, që ra në tapet dhe nuk e mori më veten. Makhachev përfitoi nga mundësia e artë që iu dha, duke kapur rivalin brazilian, që u detyrua të dorëzohej. Një triumf i merituar për rusin, në përfundim të një sfidë që deri në ato momente e kishte dominuar.

Goditjet e afërta të Makhachev coroditën mjaft Oliveira, që megjithëse u përpoq me disa kapje, nuk ishte shumë i zhdërvjellët në kafaz. Makhachev mori kështu titullin kampion të peshës së lehtë, titull që ishte vakant që prej muajit maj, kur Oliveira dështoi të kapë peshën. Festë e madhe pas duelit, me Khabib që mbajti në krahë kampionin e ri të botës..

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close