Francesco Acerbi foli për herë të parë mbi rastin që e përfshiu në pjesën e dytë të Inter-Napoli, mbrëmjen e së dielës. Juan Jesus e akuzoi atë në fushë se i ishte drejtuar me një epitet diskriminues (zezak), duke ia raportuar këtë arbitrit.

Më pas braziliani tha se kishte marrë kërkim-falje nga kolegu zikaltër. Dje erdhi përjashtimi nga kombëtarja italiane përmes njoftimit për shtyp të FIGC. Në stacionin qendror të Milanos, pasi u kthye nga kampi stërvitor i kombëtares në Romë, mbrojtësi i Interit komentoi stuhinë e krijuar:
“Nuk kam thënë kurrë ndonjë frazë raciste, jam shumë i qetë. Kam 20 vite që luaj futboll si profesionist dhe e di se cili jam. Asnjë fjalë e tillë raciste nuk doli nga goja ime, ishte ai që e keqkuptoi. Më vjen keq që jam larguar nga kombëtarja, racizmit i them qi*u…”
Shkurtimisht, Acerbi mohon atë që është raportuar dhe mbron qëndrimin e tij: “Kërkim-falje për Juan Jesus? Për mendimin tim edhe ai e ka keqkuptuar… Shumë gjëra ndodhin në fushë, është normale. Ju luani futboll, i thoni disa gjëra, por në fund të ndeshjes shtrëngoni duart dhe gjithçka kthehet si më parë. A do të flas me drejtuesit e Interit? Do të flas me vajzën time…”

