Taulanti: I sugjerova që mos të luajë ndaj Serbisë, por Graniti do të luajë çdo ndeshje për Zvicrën

Vëllai i Taulant Xhaka-s, është kapiten i Zvicrës dhe ka udhëhequr përfaqësuesen në  dy fitoret madhështore ndaj Serbisë në dy Botërorët e fundit. Graniti për herë të parë luan ndaj Serbisë në Serbi.

Taulanti ishte pjesë e Shqipërisë në ndeshjen e vitit 2014 ndaj Serbisë në Beograd. Ajo ndeshje ishte ndërprerë pasi lojtarët e Shqipërisë u sulmuan në fushë nga numër i madh i huliganëve serbë.

“E di shumë mirë se sa shumë presion dhe emocione duhet të përballosh në këtë ndeshje”, thotë ai.

Menjëherë pas shortit, Taulanti i sugjeroi Granitit që të mos paraqitej në ndeshjen në Serbi.

“I sugjerova Granitit të flasë me selektorin Murat Jakin dhe ndoshta ta lëshojë ndeshjen. Por ne të gjithë e njohim atë. Ai dëshiron të luajë secilën ndeshje për Zvicrën”, thotë Taulant Xhaka.

Ai ka thënë se Graniti duhet të qëndrojë i qetë, të luajë futboll, të fitojë dhe të injorojë provokimet.

“Nuk është e lehtë të mbash veten nën kontroll për 90 minuta kur gjërat bëhen emocionale sërish. Është e lehtë të thuhet, por në fund ka të bëjë me lojë futbolli dhe me fitore”, ka thënë mesfushori i Baselit.

Ish-sulmuesi i Zvicrës, Admir Mehmedi, ka thënë se pret ndeshje normale. Ai beson se të dyja palët kanë mësuar nga e kaluara.

Ndeshja Serbi – Zvicër zhvillohet të shtunën në qytetin e vogël Leskovc./Koha.net/

Leave a Reply

Your email address will not be published.

Close