Futbollit vendor një kohë më të gjatë nuk kishte përjetuar një derbi të zjartë si dueli i të mërkurës Shkupi-Shkëndija. Dy konkurentët kryesorë për titull të vitit të kaluar edhe këtë sezon vazhdojnë betejën për kreun dhe ky fakt duket se ka rritur dukshëm nivelin e rivalitetit ndërmjet dy ekipeve. Ndeshja e djeshme e zhvilluar para rreth 7 000 spektatorëve, që paraqet rekord për një ndeshje në Çair, nuk kaloi pa ekcese dhe momente të palakmueshme, e që në momente kalonin nivelin e rivalitetit normal. Pas ndeshjes së mbyllur me barazim 1:1, nga tabori i kampionëve në fuqi, Shkëndijës kanë dalë me Komunikatë në faqen e tyre zyrtare ku shfaqin një sërë pakënaqësish në drejtim të organizatorit të ndeshjes, Shkupit, publikut vendas, por edhe referimit dhe Federatës së Futbollit të Maqedonisë.

“KF Shkëndija shpreh indinjatë dhe njofton opinionin e gjerë se në ndeshjen e sotme (djeshme) në Çair u zhvillua gjithçka tjetër përveç futbollit. Arbitri Dejan Jakimovski historikisht e ka dëmtuar skuadrën tonë gjatë ndarjes së drejtësisë dhe kjo u përsërit edhe në ndeshjen e sotme, kur ai ndau drejtësinë në mënyrë selektive duke sinjalizuar ndërhyrje të paqena të palejueshme, me tendencë të qartë që ai të ndikojë në epilogun e ndeshjes. KF Shkëndija poashtu është e zhgënjyer nga organizatori i kësaj ndeshje, respektivisht KF Shkupi. Gjatë gjithë 90 minutave janë hudhur mbi njëqind shishe dhe gjësende tjera të forta në drejtim të lojtarëve tanë dhe stafit të KF Shkëndija. Vëllezërit tanë nga Shkupi, me sjelljen e tyre krejtësisht të pahijshme, me ofendimet dhe sharjet e nënave dhe motrave tona nuk i kanë bërë aspak nder atyre dy flamujve kombëtar që aq bukur dukeshin në ballë të tifo-grupit të tyre, veprimet e tyre aspak nuk përkojnë me porosinë që bën ky flamur!”, thuhet mes tjerash në komunikatën e Shkëndijës ku në fund apelohet që kjo të jetë hera e fundit që do të shihen skena të këtilla në stadiume, ndërsa kërkohet nga Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut që të penalizojë aktet e turpshme në fushat e futbollit, ndërsa në ndeshjet e rëndësishme siç ishte kjo të përkujdesen që delegimi i arbitrave dhe organizimi i ndeshjeve të jenë në nivel që garanton kushtet adekuate dhe aspektin garues të lojës së futbollit.

