Vera Europiane sjell një Shkëndijë stabile e të sigurtë, e cila në një masë ka kthyer besimin e skuadrës që në vitet 2017, 2018 dhe 2019 kalonte me siguri ture në Europë dhe tre herë rresht luante në play off të UEFA Europa League. Sigurisht larg çdo krahasimi me shkëlqimin e ekipit të atëhershëm, gjithsesi se me rezultatet dhe performansat në tre ndeshjet e para të sivjetshme në eliminatoret e UEFA Conference League, Shkëndija duket dinjitoze derisa eliminoi me autoritet Araratin e Armenisë dhe ka fitore 2:1 nga ndeshja e parë në transfertë me Valmieran e Letonisë. Sigurisht rivalët nuk janë gjigand për të llogaritur këta rezultate senzacionale, por gjithsesi duke shikuar dështimet e të kaluarës jo vetëm të kuqezinjëve tetovarë, pikërisht ky nivel e skuadrave shfaqeshin pengesa të pakalueshme për ekipet tona. Pas sukseseve të mëdha europiane në periudhën 2017-2019, në tre vitet e fundit Shkëndija dy herë dështoi keq duke u eliminuar nga ekipe modeste si Nomme Kalju e Dudelange në vitin 2020 dhe Mura e Riga në vitin 2021. Prandaj kthimi në “origjinë” për të kaluar raunde në Europë është pozitiv për kuqezinjtë, që duket se hynë në një fazë të rindërtimit të një skuadre serioze që pritet të sjellë suksese të reja në vitet e ardhshme.

VALMIR NAFIU – Sulmuesi anësorë duket lojtari më produktiv në ndeshjet me Ararat e Valmieran. Bashkë me Dorievin dhe Gurin kanë shënuar gola me rëndësi, pa harruar realizimin e Shalës në duelin e parë me armenët. Gjithsesi po të shihet bazuar me statistikat, Nafiu del “deçiziv” në këto suksese. Fillimisht inspiroi me super pasik aksionin nga i cili Shala realizoi pas asistit të Dorievit për epërsi 1:0 ndaj Araratit, që më pas me super gol të vulosë triumfin 2:0 që u tregua të jetë vendimtar për avansimin në raundin e dytë, duke ditur se në Jerevan sfida u mbyll 2:2. Ndërkohë në Riga të enjten e fundit rezultati ishte 1:1 kur në minutën e 63-të Valmir Nafiu prodhon një super asist të konvertuar në gol nga Guri, për fitore 2:1 dhe epërsi para ndeshjes së kthimit këtë mesjavë në Shkup.
NAFIU NGA TOTTENHAMI TE ARARATI – Me emrin e sulmuesit 28 vjeçar lidhet një kuriozitet interesant. Në vitin 2020 në xhiron e tretë eliminatore të UEFA Europa League Shkëndija eliminohej nga Tottenhami pas humbjes 1:3 në Shkup (shkaku i pandemisë atë vit luheshin ndeshje teke/vetëm një ndeshje). Goli i vetëm i Shkëndijës ishte një kryevepër e Valmir Nafiut që me një super goditje mposhti portierin e famshëm anglez, Hart. Ky gol do të rezultonte i fundit i Shkëndijës në Kupat e Europës për dy vite, pasi realizimi i rradhës do të vinte kundër Araratit fillimisht me Shalën e pastaj edhe me Nafiun. “Agjerimi” nga 2020 në 2022 vjen për shkakun se Shkëndija në vitin 2021 kaloi shumë keq në Europë duke mos gjetur asnjë realizim në katër ndeshje (humbje pa gol të shënuar në nga dy ndeshje me Muran 0:1 dhe 0:5, si dhe Riga 0:2 dhe 0:1).
Prandaj themi se ky vit paraqet “renesansë” kuqezi në Europë dhe Shkëndija duket në rrugë të mirë drejt raundit të tretë në Conference League.
Ndërkohë heqim golin e Shalës, rezulton se “agjerimi” dy vjeçar i shënimit të golit në Europë mund të përkufizohet “nga Nafiu te Nafiu”, me dy perla, super gola secili më i bukur se tjetri. Interesant është edhe fakti se te të dy golat, pasimim e fundit drejt Nafiut e jepte Doriev.

